Nga selia blu, kryedemokrati Sali Berisha deklaroi se “Smart City” është projekt korruptiv me çmime deri 30 herë më të larta.
Por ky projekt, i cili është i tëri vendosje e Shqipërisë, qytetarëve të saj në kontroll total, është njëkohësisht një projekt fund e krye korruptiv.
Çmimet e ofruara për realizimin e këtij projekti janë nga 10 gjer në 30-fishin e çmimeve për këto aparatura në treg.
Kështu, në qoftë se kamera e trupit të policit kushton në këtë projekt 15.700 euro, ajo blihet kudo me 1000- 1500 euro.
Në rast se kamera e rrugës kushton 52 mijë euro, kjo kamerë blihet lirshëm me 2 mijë euro. Pra është 25 herë më e shtrenjtë se sa gjendet në treg.
Kostot e projektit në tërësi rezultojnë, krahasuar me zbatimin e tyre në vendet e tjera, në proporcion të paktën 10-12 herë më të larta.
Kështu në Bengalore të Indisë ky projekt ka kushtuar 67 milionë dollarë për një popullsi 8 milionë banorë, mbi katërfishin e popullsisë së Shqipërisë.
Pra, i bie rreth 15 herë më shtrenjtë projekti në Shsqipëri, po të kemi parasysh se këtu as 2 milionë banorë nuk janë dhe projekti kushton 157 milionë euro.
Edhe këtu dora e zezë e kunatit famëzi me prestanome është e sigurt.
Imagjinoni pra vjedhjet 15-fishi i kostos të një qyteti të famshëm në Indi.
Dënoj me forcën më të madhe një projekt të tillë si një vjedhje të përmasave të papërmbajtura, si një dhunim dhe cenim i madh i sigurisë kombëtare të shqiptarëve, i privacisë së tyre.
Ata tani nuk mund të shkojnë më tek njëri-tjetrit pa syrin e Ciklopit mbrapa dhe ky është Edi Rama.
Sigurisht që PD do e ngrejë më forcën më të madhe këtë çështje edhe në institucionet ndërkombëtare pasi përbën një shkelje fondamentale të të drejtave të njeriut.










