Së dyti, qartësia politike është një element themelor i veprimit të tij. Kurti nuk ka përdorur gjuhë të dyfishtë dhe nuk ka ndarë diskursin sipas audiencës. Qëndrimet e tij mbi sovranitetin, rendin kushtetues, dialogun me Serbinë dhe funksionimin e shtetit kanë qenë të qëndrueshme në kohë. Kjo qartësi ka ekspozuar kontrastin me politikën në Tiranë dhe Shkup, ku shqiptarët institucionalë shpesh artikulojnë pozicione të paqarta, të kushtëzuara nga frika e prishjes së ekuilibrave politikë, ose nga pritjet e pafundme të faktorëve të jashtëm.
Së treti, këmbëngulja institucionale, veçanërisht në rastin e Mitrovicës, përfaqëson një ndryshim paradigme. Për vite me radhë, veriu i Kosovës është trajtuar si zonë kompromisi, si hapësirë e negociueshme dhe jo si pjesë integrale e rendit kushtetues. Edhe te rasti i rrugës Prizren-Tetovë e theu Sërbinë dhe e afroi Maqedoninë V me Europën.
Kurti e sfidoi këtë logjikë duke vepruar mbi bazë ligjore dhe institucionale, duke refuzuar kompromiset politike që do ta relativizonin sovranitetin e shtetit. Ky veprim sfidoi njëkohësisht strukturat paralele serbe, hezitimin e elitave shqiptare dhe qasjen ndërkombëtare të mësuar me status quo-në.
Në raport me faktorët ndërkombëtarë, Kurti vendosi një model të pazakontë për politikën shqiptare: bashkëpunim pa nënshtrim. Ai nuk e mohoi orientimin euroatlantik të Kosovës, por refuzoi që ky orientim të përdorej si instrument presioni për zbehjen e funksionimit të shtetit. Ky raport i barabartë e nxori në pah një problem të vjetër në politikën shqiptare në rajon: prirjen për ta përdorur faktorin ndërkombëtar si justifikim për mungesë vendimmarrjeje dhe përgjegjësie politike. Dhe fitorja nuk mungoi, sot Kosova është e mbrojtur nga SHBA me dokument të nënshkruar nga Trump dhe Europa e sheh si partner, pa kufizime.
Një element thelbësor i kësaj analize është fakti se Albin Kurti sfidoi edhe idenë e unitetit politik shqiptar si vlerë absolute. Ai dëshmoi se uniteti i ndërtuar mbi minimumin e përbashkët dhe kompromiset pa parime prodhon stagnim politik. Në vend të kësaj, Kurti e vendosi konfliktin politik në nivel parimesh dhe vizionesh, duke dëshmuar se pluralizmi politik i bazuar në ide është më i shëndetshëm sesa konsensusi artificial i elitave.
Në këtë kontekst, teza se Albin Kurtin mund ta mposhtë vetëm Albin Kurti merr kuptim analitik. Kundërshtarët e tij nuk e sfidojnë dot projektin politik, por presin devijimin e tij nga parimet që i ka ndërtuar. Rreziku kryesor për të nuk vjen nga jashtë, por nga brenda: nga lodhja politike, nga kompromisi i panevojshëm, nga humbja e qartësisë ideore, nga njerëzit rreth tij që bëjnë makiavelizëm dhe ia tjetërsojnë idenë e doktrinën.
Në përfundim, Albin Kurti nuk është vetëm një figurë politike, por një test për politikën shqiptare në tërësi. Ajo që Tirana dhe Shkupi mund të mësojnë prej tij nuk është imitimi i stilit personal të udhëheqjes, por guximi për të ndërtuar politikë mbi parime, për të sfiduar organizimin ekzistues pa frikë nga përplasja dhe për të besuar në Republikën si projekt real shtetëror, e jo si retorikë politike.
Kurti në Prishtinë e pensionoi kastën politike, tash është koha të tregoj talentin e tij për të zgjedhur më të mirët, për ta ecur anijen drejt një shqiptarie siç e duam të gjithë.