Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha pranoi sot se të rinjtë dhe Diaspora nuk janë përfaqësuar sa duhet në forumet e partisë.
Gjatë një takimi me departamentin e Brain Gain ku u prezantua edhe drejtuesi i ri Ted Kopliku, Berisha deklaroi se përgjigjja ndaj përfaqësimit të të rinjve duhet rregulluar sa më parë.
“Rrethana komplekse, duhet ta pranojmë këtu, bënë që PD të mos ishte e hapur në kuptimin më të plotë të fjalës për integrimin e tyre. Dhe këta djem dhe vajza, nuk morën vendet që meritonin në forumet e kësaj partie. Nuk gjetën hapësirat që meritonin në zhvillimet e mëpasme.
Këtu duhet ta pranojmë, PD ka një problem themelor ndaj këtij departamenti, por edhe ndaj diasporës, të cilit duhet t’i japë përgjigje sa më parë. Procedurat e përcaktuara nga kjo parti, atyre u mungon karakteri universal që duhet të ketë partia, në kuptimin që kjo nuk është parti vetëm e atyre që jetojnë në Tiranë, Tropojë apo Gjirokastër, por është parti edhe atyre që jetojnë në Paris, Londër, Berlin, Uashington dhe kudo që janë.
Nuk është parti vetëm e degëve të saj në Lezhë, Durrës apo Peqin, por është edhe parti e degëve të saj në Athinë, Milano, Paris dhe vende të tjera. Në këtë kontekst është e domosdoshme që këto mangësi të marrin përgjigje statusore. T
ë marrin përgjigje statusore! Nuk duhet të jenë zgjidhjet çështjet e vullnetit të kryetarit apo kryesisë të partisë, zgjidhjet duhet të jenë garanci statutore. Dhe në këtë kuadër ne i japim përgjigjen më të mirë, korrigjojmë padrejtësinë që është bërë ndaj tyre, por edhe ndaj diasporës. Dhe kjo padrejtësi duhet të finalizohet me përcaktime të qarta në statutin e partisë,” tha Berisha.








