Ministria e Shëndetësisë dhe Agjencia Kombëtare e Barnave po lejojnë me vetëdije qarkullimin e ilaçeve të pakontrolluara në vendin tonë. Kontrolli i Lartë i Shtetit në një raport të publikuar së fundmi tregon se deri në qershor të këtij viti barnat në Shqipëri kanë hyrë pa iu bërë asnjë analizë laboratorike nga AKB, si dhe janë tregtuar me çmim më të shtrenjtë, me autorizim të Ministrisë së Shëndetësisë.
Por le t’i marrim një nga një shkeljet e konstatuara.
KLSH konstaton se pavarësisht rekomandimeve të dhënë në vitin 2020, laboratori i AKB vazhdon të jetë i pa akredituar, çka do të thotë edhe nëse janë bërë analiza të barnave nuk kanë asnjë vlerë. Por drejtoresha Blerina Kaza ka vazhduar të marrë rrogën këto te vit dhe nuk ka marrë asnjë masë për këtë problem të madh.
Më tutje theksohet se AKB dhe Ministria e Shëndetësisë, që drejtohej nga Ogerta Manastirliu për periudhën 2020-2023, kanë dhënë autorizim për tregtim barnash pa kontroll fare. Ndërsa theksohet se stafi në AKB nuk është i kualifikuar për të kryer punë në këtë institucion me rëndësi kaq të lartë.
“Në lidhje me mekanizmat e ngritur për të garantuar sigurinë dhe efektshmërin e barit në vendin tonë, rezultoi se; AKBPM-së përveç vitit 2020 ku i janë dhënë fonde për laboratorin e kontrollit, për të tre vitet e tjera nuk i është dhënë asnjë fond për investime në pajisje, mjete dhe materiale të tjera laboratorike, laboratori i Kontrollit të Barnave është akoma i pa akredituar, nuk është i përditësuar me të rejat e fundit të metodikave farmakopeale europiane; për periudhën e viteve 2020-2023, numri i autorizimeve/riautorizimeve të tregtimit të barnave që qarkullojnë në vendin tonë është shumë më i lartë në krahasim me analizimin laboratorik të barnave që janë importuar ose prodhuar në vend, ku nuk janë kryer pothuajse as gjysma e analizave, gjithashtu stafi nuk është i mjaftueshëm dhe i kualifikuar, një tjetër mangësi është se nuk ka procedura të mirë përcaktuara për kryerjen e analizave laboratorike, etj”, thuhet në raport.
Janë lejuar edhe barnat që EMA i konsideron të dëmshme
Ngrihet alarmi me gjetjet që ka raportuar KLSH. Sipas të dhënave Blerina Kaza ka lejuar të tregtohen barna që Agjencia Evropiane e Barnave i konsideron si të dëmshme. Më e keqja është se këto barna qarkullojnë nëpër farmaci dhe spitale pa iu bërë më parë një kontroll.
“Agjencia kombëtare e Barnave nuk ka kryer analiza laboratorike për barnat që qarkullojnë në Shqipëri, të cilat janë konsideruar nga Agjencia Evropiane e Barnave (EMA) apo nga institucionet homologe si të dëmshme për shëndetin e konsumatorëve si dhe nuk ka marr masat e duhura nëpërmjet kryerjes së inspektimeve në rastet kur është njoftuar për tërheqjen nga tregu të barnave të caktuara”, ngre alarmin KLSH.
Ministra jep autorizim për import barnash pa iu bërë kontrolli
Pesha më e madhe e papërgjegjshmërisë është mbi Ministrinë e Shëndetësisë, e cila të paktën nga viti nga viti2020 deri në vitin 2023 ka dhënë autorizim për tregtim pa u kryer nga AKBPM analizat fiziko kimike dhe bakteriologjike. Theksojmë këtu se në listën e këtyre barnave përfshihen edhe ato të cilat përdoren për vaksinime më së shumti ndaj fëmijëve. Përmendim vaksinat kundër fruthit, vaksina për ethet e verdha etj
“Këto barna janë ilaçe antiretrovirale kundër HIV AIDS, vaksinë polimeliti, vaksinë COVID 19, vaksinë kundër difterisë, tetanozit dhe kollës së mire, ilaç kundër shtatzënisë së padëshiruar, vaksinë gripi sezonal (katërvalent), vaksinë hepatiti B, vaksinë kundër tërbimit, aniviral Covid 19, vaksinë rotavirus (ethe, kolle, diarre), vaksinë e indikuar për parandalimin e gastroenteritit, vaksinë për ethet e verdha, ilaç antiretrovirale HIV për fëmijë, vaksinat për fruthin, etj”.
Ndërsa problem tjetër i theksuar që kurrë nuk i është dhënë zgjidhje lidhet me faktin se në vendin tonë hyjnë vende pa kod gjurmimi. Në fakt në vendin tonë nuk është krijuar dot një sistem për gjurmimin e barnave që qarkullojnë, sidomos për barnat e paautorizuara.
“Nga krahasimi i objektivave të strategjisë ndër sektoriale për mbrojtjen e konsumatorëve dhe mbikëqyrjen e tregut 2020, rezulton që krijimi i sistemit të gjurmimit të barnave (track and trace) duhej të ishte realizuar në fund të vitit 2020, por ky sistem jo vetëm që nuk është realizuar, por referuar Strategjisë Kombëtare të Shëndetësisë 2021-2030 parashikohet të realizohet në fund të vitit 2030, pra duke u shtyrë afati i implementimit të sistemit edhe me 10 vite”, thuhet në raport
Abuzimi me çmimet
Edhe na kanë sjella në farmaci ilaçe të pa kontrolluara, një rrezik shumë i madh ky për të gjithë ne, Manastirliu dhe Kaza kanë abuzuar edhe me çmimet. Raportohet se nuk janë publikuar çmimet për barnat të paktën tre vitet e fundit në faqen e tyre zyrtare.
Gjithashtu nuk është bërë as përditësim i llojit të barnave dhe çmimeve të tyre nga regjistri i barnave, çka tregon se kemi transparencë të theksuar. Kështu iu është dhënë mundësia për abuzim atyre që tregtojnë barna, por edhe kompanive që kanë fituar tendera për të furnizuar me ilaçe spitalet.
“Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale dhe Agjencia Kombëtare e Barnave dhe Pajisjeve Mjekësore nuk kanë të publikuar në faqet e tyre zyrtare çmimet CIF dhe EXW të barnave që tregtohen në vendin tonë. Mos publikimi i çmimeve CIF dhe EXW, sjell mungese transparence në lidhje me çmimet si dhe proces të paqartë të monitorimit dhe kontrollit të tyre. -Agjencia Kombëtare e Barnave dhe Pajisjeve Mjekësore nuk ka përditësuar regjistrin e barnave të autorizuara për tregtim në Republikën e Shqipërisë në muajin Janar 2024. Mos përditësimi i regjistrit të barnave sjell mungese transparence në lidhje me barnat e autorizuara të regjistrit të barnave”, rezulton nga gjetjet.
Sipas KLSH, e gjithë kleçka e abuzimit është kurdisur nga AKB dhe aprovuar nga MSH, pasi gjatë viti 2023 dhe gjatë viti 2024 nuk është bërë ndryshimi për çmimet e barnave në bazë të kursit të këmbimit. Kjo duhej bërë patjetër pasi CIF i ka çmimet në euro dhe faktet flasin vetë se sa ka ndryshuar vlera e euros në këto dy vitet e fundit. Mund ta imagjinoni pak sa kanë fituar ata që tregtojnë barna.
“Agjencia Kombëtare e Barnave dhe Pajisjeve Mjekësore duke qenë se çmimet CIF janë të miratuara në euro, gjatë vitit 2023, duhet të kishte në vëmendje luhatjen e kursit të këmbimit për përllogaritjen e saktë të çmimit me pakicë të barnave në varësi të kursit të këmbimit të gjashtë mujorit të dytë të vitit 2022 dhe gjashtë mujorit të parë të vitit 2023 e në vijimësi. Gjithashtu hedhja e të dhënave në sistemin SIRKB si dhe lëshimi i autorizimeve të përdorimit për të gjithë vitin 2023 duhej të bëhej bazuar në këtë konvertim të çmimeve CIF në lekë”, raporton KLSH.
Krijimi i hapësirave për abuzim është bërë edhe me ilaçet e rimbursueshme.
E dimë që më së shumti këto barna përdoren nga pensionistët, apo personat që vuajnë nga sëmundje të rënda. Me pak fjalë grupet më në nevojë dhe pikërisht tek kjo shtresë ka abuzuar Manastirliu me vartësen Kaza.
Sipas KLSH, 43 lloje barnash që hyjnë tek kjo kategori nuk janë të regjistruara, pra mund të shiten me çmime të fryra tek ata që kanë nevoja, sigurisht që as të kontrolluara nuk janë.
“43 barna që janë alternative e parë e barnave të rimbursueshme nuk janë barna te regjistruara në regjistrin e barnave, siç përcakton ligji i barnave. MSHMS nuk ka përcaktim të saktë për rastet e veçanta të importimit të barnave që janë alternative e parë në listën e barnave të rimbursueshme dhe që nuk janë të regjistruar në regjistrin e barnave”, evidentohet nga auditimi.
Në këto të dhëna na tregohet se ne jo vetëm që nuk kemi shëndetësi falas, por grupet më në nevoja po vidhen dhe në fund na jepen barna që po na vrasin dhe jo të na kurojnë!