A mund t’i japë licencat e kompanive të basteve sportive një zyrtar që është vetë bastexhi? Këto ditë janë firmosur nga ministrat emrat për anëtarë të Komisionit të Licencave të Lojërave të Fatit. Ata nuk janë bërë publikë, pasi mund të ketë ndryshime të momentit të fundit, ashtu siç u bë me pikat e ligjit që përcaktonin se kush mund të jetë në këtë komision.
Ajo që nga shqetëson është se lobimet e grupeve të interesit po sjellin të propozuara me firmat e ministreve personazhe në konflikt interesi. Një nga këta emra që qarkullon, është moderatori televiziv Denis Dyrnjaja. Ai njihet si një bastexhi i thekur, madje ky ves i ka sjellë shqetësime edhe në kompanitë mediatike ku ka punuar. Qarkullojnë fjalë se Dyrnjaja nuk i dorëzonte lekët e reklamave që sillte në TV në rolin e agjentit.
Meqenëse as Ministria e Financave as Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare nuk kanë bërë një njoftim zyrtar për emërimin e anëtarëve të Komisionit të Licencave të Lojërave të Fatit, është momenti i fundit që të bëhen disa ndryshime në mënyrën e zbatimit të ligjit dhe në mbrojtje të interesit publik. Ligji i miratuar nga Kuvendi më 15 shkurt 2024 e jep përgjigjen e çështjes me rreshtin: “Nëpunësve të AMLF-së dhe anëtarëve të Komisionit të Licencave u ndalohet të luajnë lojëra fati në të gjitha kategoritë e lojës që janë përcaktuar në këtë ligj”.
Ndërsa zbatimi i ligjit është një problem subjektiv. Anëtarët e komisionit detyrohen vetëm të nënshkruajnë: Deklaratën e konfidencialitetit dhe deklaratën e mungesës së konfliktit të interesit, rast pas rasti, sipas përcaktimeve të legjislacionit në fuqi për konfliktin e interesit.
Ndërkaq, ministrave u është lënë dorë e lirë të propozojnë “persona nga jashtë administratës publike”. Kështu, një përfaqësues është nga Ministri i Financave, një tjetër nga ai i Ekonomisë, dhe me radhë nga ministrja e Çështjeve Sociale, i Drejtësisë, i Brendshëm, nga Agjencia e Inteligjencës Financiare, Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit.
Sipas burimeve të brendshme, Denis Dyrnjaja është propozim i Ministres së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu. Vetë Denisi nuk ka deklaruar që e ka pranuar këtë detyrë dhe nuk dihet nëse do të vazhdojë të bëjë gazetarin, ndërkohë që do t’i duhet të votojë licencat e basteve. Megjithatë Kodi i Etikës i Mediave e detyron “Denisin gazetar” vetëm moralisht pa i shkaktuar pasoja.
Nga ana tjetër, “vesi thuhet se del me shpirtin”. A ka garanci se Denisi nuk do të hedhë më baste? Problem janë edhe borxhet e krijuara nga moderatori gjatë viteve.
Ky është dokumenti i lëshuar sot nga QKB, ku rezulton se Denis Dyrnjaja ka një borxh bankar të pashlyer dhe për këtë është bllokuar biznesi i tij nga përmbarimi privat.
Sipas dokumentit të mësipërm, përmbaruesi gjyqësor Fatos Alimadhi me vendim gjykate ka bllokuar kuotat e palës debitore të subjektit “Denis Dyrnjaja”. Deri më sot akoma nuk ka një urdhër zhbllokimi, që do të thotë se Denisi zyrtarisht nuk e ka kthyer këtë borxh.
I sugjerojmë ministres që, ligji nuk e ndalon që një kërkesë që parashikohet për aksionerët e kompanive të basteve, ta aplikojë për personin që po e propozon për në Komisionin e Licencave. Sipas ligjit, “Nëse aksionarët e subjektit aplikues janë individë, ata duhet të paraqesin dokumentacionin për a)… mospagim gjobash apo për vepra të tjera penale, që komprometojnë personin në nderin e personalitetin e tij. b) vërtetimin nga Zyra e Përmbarimit Gjyqësor se individi nuk është në proces ekzekutimi të detyrueshëm për detyrime pasurore të pashlyera”.
Anëtarët e Komisionit caktohen një herë në katër vjet dhe paguhen 30 mijë lekë për çdo mbledhje. Denisi mund të zgjidhet edhe kryetar i komisionit, pasi zgjedhja bëhet me votim të fshehtë nga anëtarët. Kryetari shpërblehet me 35 mijë lekë për çdo mbledhje.
Denis Dyrnjaja është një profesionist i mirë si spiker lajmesh dhe fushën e moderimit televiziv të debateve (me përjashtim të ndonjë rasti kur i ka dalë situata jashtë kontrollit dhe është sjellë keq me të ftuarit). Ndërkohë hedhja e basteve, sipas psikologëve, mund të krijojë varësi dhe kjo do të ndikonte drejtpërsëdrejti në vendimmarrjen (votën) e tij në dhënien e licencave.
Ndoshta zbatimi i këtij ligji nuk mund të lihet në dorën e ministres (që firmos çfarë i çojnë) as të kandidatit, i cili mund të mos e tregojë vesin e tij. Për të siguruar që Komisioni i Licencave të mos mbushet me bastexhinj dhe borxhlinj, e mira është që anëtarët përpara se të miratohen t’i nënshtrohen “makinës së të vërtetës”.
Poligrafi është një mjet që ka ardhur në Shqipëri qysh në vitin 2020 dhe përdoret për personat që punojnë në SPAK dhe BKH dhe Agjencinë e Mbikëqyrjes Policore. Një rrugë tjetër është që anëtarët e komisionit t’i nënshtrohen vërtetimit të personalitetit nga organet përkatëse, por kjo kërkon pak më shumë kohë.
Kujtojmë se lotot sportive në vendin tonë u mbyllën më 1 janar 2019, por ato online në mënyrë të paligjshme kanë vijuar me gjithë aksionet e shpeshta të policisë për t’i gjurmuar dhe ndaluar. Komisioni i mësipërm do të japë 10 licenca për bastet sportive online dhe kriteret janë shumë të shtrënguara.