Nga Saimir Demi
Në këto tetë javë kampionati ka pasur nga të gjitha dhe dikush që e ka profesion dhe është i detyruar të merret me futbollin, apo edhe ndonjë tjetër që e ka nxitje për të folur sa për të shtyrë kohën, nuk e ka të vështirë të gjejnë tema të vlefshme për të mbushur ditën e tyre. U bë fillimisht një merkato e shfrenuar, më pas u paraqit një kalendar i çuditshëm, në bazë të të cilit do të zhvillohet aktiviteti dhe më pas avazi i vjetër… Katër nga 10 skuadrat e Kategorisë Superiore luajnë si vendas në shtëpinë e botës, por veç kësaj është shpikur edhe një sistem konvertimi, sipas të cilit të lejohet të deformosh kalendarin, duke e luajtur ndeshjen e parë jashtë si vendas dhe borxhin mund ta lash fazën tjetër. Por ka pasur edhe futboll të luajtur, ndonjëherë nën nivel dhe ndonjëherë pranueshëm, apo edhe dekore emocionuese tifozerish. Pra, gjithkush mund ta vlerësojë vetë se nga anon peshorja, nga e mira apo nga e keqja. Vetëm në një pikë pothuajse të gjithë janë në unison, për të treguar me gisht arbitrat, si mëkatarët e vetëm të futbollit tonë çalaman. Pas çdo jave të luajtur, tendenca është për të gjetur mënyra të reja dënimi për xhaketat e zeza dhe propozimet janë nga më të larmishmet, duke filluar nga pezullimet me afate të gjata, përjashtimet përfundimtare, për të ndikuar t’u harrohet emri dhe deri tek proçedimet, duke e klasifikuar vepër penale mosdhënien diku të një penalltie. Ata, sigurisht që nuk janë ëngjëj, por sigurisht që nuk janë pjesa më e errët e këtij sistemi. Akuzohen në masë për marrje ryshfetesh, madje shprehja “ka marrë lekë” thuhet aq shpesh edhe për një faull në mesfushë, saqë është kthyer në një bindje kolektive. Mitmarrja, po që është vepër penale, por njësoj dënohet edhe ai që jep rryshfet, pra pikërisht këta që ulërinë pas çdo ndeshje që u ka sjellë një rezultat të paleverdisshëm. Janë ekzaktësisht këta që e kanë sjellë futbollin tonë në këtë pikë, ku gjithçka të duket e dyshimtë. Si mund të jetë korrupsioni në futbollin shqiptar thjeshtë një çështje arbitrash, në një kohë që mbrohet me heshtje nga zyrat qëndrore edhe kur bëhet i ditur nga institucione të huaja më të specializuara? Gjendja e tanishme të krijon përshtypjen që gjyqtarët e ndeshjeve janë në mes të një gare të dhunshme, të disave që kanë pushtetin e parave apo të arrogancës dhe duan të përfitojnë pikërisht në kurriz të njëri-tjetrit, duke i korruptuar gjyqtarët, apo duke i bërë presion. Pra, një herë tentojnë t’i paguajnë nën dorë dhe një herë tjetër i sulen për t’i ngrënë. Dhe në fund fare, secili përdor me rradhë të njëjtën shprehje, që është kthyer në një postulat për të të këputur shpirtin: “Këta po tallen me paratë e mia”. Në fundjavë, gjatë ndeshjes Milan – Juventus, një arbitër guxoi të “tallej” me paratë e Anjelit!… Për fatin tonë, Shqipëria është një vend shumë i vogël dhe veç të tjerash jemi një popull që e shpërndajmë shpejt fjalën. Kështu që institucioni që drejton futbollin në vend, nuk e ka të vështirë ta pastrojë sektorin nga emrat e përfolur, le që një dorë ta japin vetë ata që kanë kontribuar në shkatërimin e moralit të gjyqtarëve, të cilët deri tani kanë folur mjaftueshëm kafeneve. Ndërsa pjesën tjetër duhet t’i lënë të qetë të punojnë, për t’i dhënë udhë pasionit të tyre. Duhet të trajtohen si njerëz me personalitet, duhet të mbrohen, pasi askush nuk ka drejtë t’i fyejë, t’i përmendë të gjithë njerëzit e dashur, t’i shtyjë e t’i pështyjë. Edhe ata janë njerëz që mund të gabojnë, ashtu sikurse ka njerëz të shtypit që kanë gabuar aq shumë, sa janë kthyer në të pandreqshëm, por ende e kanë tagrin t’i drejtohen publikut. Ka specialistë që nuk tregohen objektiv në analizat e tyre, por sërish janë javën e ardhshme në të njëjtën studio televizive, siç ka edhe moviolistë selektivë në vlerësimet e tyre. Në ndeshjen Skënderbeu – Kukësi ishte një rast, kur Pejiç doli i vetëm përpara Shehit, duke ardhur nga një pozicion jashtë loje. Për një rast të ngjashëm, asistentët ka qëlluar të jenë pezulluar për një, ose dy javë. Por, edhe Pejiç gaboi po padashje, pasi nuk shënoi, por sigurisht që do të jetë në fushë edhe javën e ardhshme…, sepse kështu duhet të funksionojë.