Pavarësisht se kampionati është në pikën e tij më të nxehtë dhe lufta për titull sa vjen e bëhet akoma edhe më e fortë, trajneri i Skënderbeut, Mirel Josa, ka gjetur momentin që të flasë për gjëra që nuk i kishte thënë më parë.
Numri një i pankinës bardhekuqe, në një intervistë ekskluzive për “Panorama Sport”, ka treguar të gjithë anën tjetër të medaljes së punës së tij si trajner, por jo vetëm, duke zbuluar veten në 360 gradë.
Keni thënë më parë se çakmaku juaj është një send me vlerë për ju. Si qëndron historia e këtij çakmaku, të cilin nuk e lëshoni nga dora?
Historia e çakmakut ka nisur në vitin e parë timin te Skënderbeu, gjatë fazës përgatitore që zhvilloja në Austri me ekipin.
Sapo kishim fituar titullin kampion, i pari për mua me këtë skuadër dhe shkuam në fazë si zakonisht në Sant Ulerin. Hyra në një dyqan dhuratash dhe atje më pëlqeu shumë ky çakmak, apo këllëf çakmaku si mund ta quaj. E mbaja me vete gjithmonë, por më është fiksuar si fatsjellës pas ndeshjes me Neftçin.
Pse pikërisht atëherë?
Kisha thënë se, nëse do ta kalonim Neftçi Bakunë, këtë çakmak do ta ruaja si gjënë më të shtrenjtë që kam. Ashtu ndodhi dhe tani e mbaj gjithmonë me vete, nuk e lëshoj kurrë nga dora.
E mbani që prej katër vitesh?
Më ka ndodhur shpesh që më ka humbur në disa raste qoftë në lokale apo me miq në tavolinë, por e kam rigjetur. Ka ndodhur vetëm një herë që më ka humbur ky çakmak, kur fituam titullin e dytë kampion. Por, kur shkuam për herë të dytë në Austri, vajta menjëherë tek i njëjti dyqan dhe, për fat të mirë, gjeta sërish një të tillë… identik.
Pra një send që mund ta quajmë fatsjellës. Është supersticioz Josa?
Normal, si çdo njeri tjetër edhe unë kam supersticionet e mia në disa drejtime. Një person kur është supersticioz nuk është vetëm te çakmaku, por edhe te gjërat shumë më intime. Por këto gjëra preferoj që t’i mbaj sekret për vete.
Para çdo ndeshjeje, mbylleni në dhomën tuaj i vetëm. Përse veproni kështu?
Thjesht sepse para ndeshjes nuk më pëlqen shumë komunikimi, pasi punët me ekipin i kam mbaruar më parë dhe në ditën e fundit shoh vetëm disa detaje të vogla. Mbyllem në dhomë, për të vetmin fakt se nuk dua që të takohem shumë me kundërshtarët para takimit.
Në çdo takim nuk gëzoheni asnjëherë te goli i parë, por shpërtheni tek i dyti që shënon ekipi. Një tjetër “fiksim” ky?
Kjo qëndron në faktin se qetësohem kur rezultati më jep siguri. Por jam i bindur se kam të drejtë, pasi nuk duhet që të gëzohemi shumë më përpara, sepse na ka ndodhur shumë herë që kemi pasur avantazh dhe kur jemi gëzuar para kohe problemet na janë kthyer mbrapsht. Kështu që nuk ka shanse që unë të gëzohem kur ekipi nuk e ka siguruar fitoren.
Ky është viti juaj i katërt te Skënderbeu, duke u bërë trajneri më jetëgjatë në Shqipëri në krye të një pankine. E kishit menduar se do të zgjaste kaq shumë kjo histori?
Të them të drejtën nuk e kisha menduar që kjo punë të shkonte kaq gjatë. Mirëpo, duke parë projektin e klubit dhe mënyrën sesi ky klub po funksiononte, atëherë pata njëfarë sigurie në veten time se kjo punë do të vijojë për shumë vite. Kam pasur dilema në momentin e vetëm kur ekipi fitoi titullin e dytë kampion dhe u eliminuam nga BATE Borisov, për mënyrën sesi do të vijonte puna, sesi do të funksiononte klubi. Por, kur klubi fitoi dhe kampionatin e tretë radhazi, atëherë u qetësova disi.
Por, për mendimin tim, asnjë trajner nuk duhet të qetësohet dhe t’i marrë gjërat e sigurta, pasi çdo gjë varet nga rezultatet. Këtë që them e kam nxjerrë konkluzion pasi kur kam qenë trajner i Tiranës dhe kemi pasur rezultate shumë të mira, qoftë në Europë, qoftë në kampionat dhe unë kam ikur brenda javës. Kështu që duhet të ruajmë më tepër njëfarë mossigurie që besoj se e ka vetëm Mireli, por e kanë të gjithë trajnerët. Sepse kur nuk fiton ndeshjen e radhës problemet bëhen gjithmonë e më të mëdha.
Josa në karrierën e tij ka pasur ndonjëherë në mendje të japë dorëheqjen?
Te Skënderbeu nuk më ka shkuar asnjëherë në mendje një gjë e tillë, për shkak se ekipi kishte një ecuri shumë pozitive nga të gjitha anët. Në Shkodër kam dhënë një herë dorëheqjen nga stoli i Vllaznisë. Kjo erdhi për shkak të situatave të ndryshme që u krijuan në skuadër, të cilat nuk dua t’i përmend.
Unë e them me plot gojën se ato situata që më ndodhën atje nuk dua që të më shfaqen këtu te Skënderbeu.
Katër vite bashkëpunim me Takajn. Si janë raportet?
Unë presidentin Takaj nuk e njoh tani, por shumë më herët, para se ai të hynte në drejtimin e Skënderbeut. E njoh që në kohën kur luanim të dy te Tirana, pavarësisht se ai ka qenë deri në ekipin Shpresa.
Ne jemi moshatarë dhe u ndamë më pas në fragmente të ndryshme, por i kemi ruajtur kontaktet. Rastësisht më pas u bashkuam te Skënderbeu. Unë them që të dy ngjajmë pak në karakter për sa i përket mënyrës sesi duhet zhvilluar një punë.
Megjithatë, në katër vite nuk ka shkuar çdo gjë vaj, pasi po të ishte kështu punët nuk do të shkonin kaq mirë. Ka momente që kemi pasur edhe debate, sikundër ka çdo trajner me presidentin, por që janë shuar me bashkëpunimin mes të dyve. Kjo ka qenë arsyeja se pse nuk e kam menduar asnjëherë dorëheqjen nga ekipi, plus që edhe Takaj nuk ma ka kërkuar një gjë të tillë.
Është normale që kur rezultatet janë ato që nuk priten, atëherë jam dakord që gjërat s’janë të mira mes dy palëve. Kryesorja qëndron në faktin se unë nuk e kam ngatërruar kurrë punën me shoqërinë. Edhe presidenti Takaj nuk e bën këtë gjë.
Thatë se njiheni që kur luanit me Tiranën. Si ka qenë Ardjan Takaj si futbollist?
Presidenti Takaj ka qenë një ekstrem i djathtë dhe një futbollist i shpejtë dhe shumë i fortë. Edhe mund të kishte luajtur në nivele më të larta dhe këtë e them me siguri, jo për t’i bërë qejfin.
Fakti që Takaj nuk zbret në dhomat e zhveshjes në pushim të ndeshjes apo në fillim të saj, është njëfarë lehtësimi për ju?
Presidenti është me ekipin që dy ditë para ndeshjes, sidomos në “Tropikal” kur është gjatë gjithë kohës me ne dhe e di shumë mirë situatën në ekip.
Kjo nuk do të thotë gjë për ecurinë normale. Unë nuk e quaj problem të madh, por e quaj pozitive që ai i jep trajnerit qetësinë e duhur për të analizuar ndeshjen bashkë me lojtarët.
Ç’mund të na thoni për faktin që në fund të takimit, kur keni fituar, pyesni për rezultatet e Vllaznisë dhe Tiranës…
Janë skuadra, të cilat mua më kanë dhënë shumë, qoftë Tirana, qoftë Vllaznia. Janë dy tifozëri me të cilat kam marrëdhënie të mira. Përveç Tiranës, që dihet tashmë që është shtëpia ime për sa i përket fjalës, për Vllazninë interesohem pasi kam dëshirë që ai ekip të ketë mbarëvajtje.
Familja juaj në ndeshje të rëndësishme është prezente në stadium. Mbështetje apo një tjetër supersticion?
Pak nga të dyja. Unë personalisht nuk do ta quaja mbështetje, pasi rezultatet pozitive i shijoj më shumë kur mbaron një ndeshje dhe momentet pas saj i shijoj i vetëm në përgjithësi, sidomos këtu në Korçë. Në ndeshje të rëndësishme kanë qenë prezentë, pasi edhe ata kanë një kënaqësi për punën që bëj unë. Por më tepër i marr edhe për punë shansi.
Pra, janë fatsjellës?
Normal, nganjëherë i marr ose vijnë vetë dhe në ato raste u them që “nëse sot nuk fitojmë, s’keni për të ardhur më”.
Ka ndodhur ndonjëherë një gjë e tillë?
Po, në një barazim që mori Teuta këtu në Korçë, kur kemi dalë 1-1 dhe familja nuk e ka parë stadiumin për 4 muaj.
Nga bashkëshortja dhe dy vajzat, si e përballoni largësinë?
Janë probleme me të cilat jemi mësuar tashmë. Largësia nuk ka qenë vetëm këtu në Korçë, por edhe në Shkodër, ku kam qenë për tre vite. Kjo më bën që të mos e kemi problem këtë largësi.
Ka pasur ndonjë rast kur familja ju ka kërkuar që të qëndroni më afër saj?
Jo, asnjëherë. Nuk kanë ndërhyrë kurrë në punët e mia, përkundrazi më kanë inkurajuar shumë që të vijoj punën, pasi puna ime lidhet drejtpërdrejt me mbarëvajtjen e tyre.
Katër vite suksesi nën drejtimin e Skënderbeut. Keni pasur oferta nga ekipe të tjera gjatë kësaj kohe?
Janë katër vite të mira për mua, kështu do ta thosha, pasi nuk është se dehem shumë nga suksesi, nuk dehem kollaj dhe s’më zë kollaj suksesi. Ka pasur oferta të ndryshme nga ekipe shqiptare, por nuk dua që t’u rikthehem. Ndërsa nga jashtë ka pasur një ofertë nga Katari dhe një tjetër tani afër nga Azerbajxhani, e cila nuk pati konkretizim.
Por unë nuk jam marrë shumë me këto oferta, pasi kam qenë i lidhur me këtë klub. Tani për tani, unë jam në ekipin më të mirë shqiptar, në ekipin më të fortë ekonomikisht dhe jam i fokusuar shumë në punën që po bëhet këtu dhe në arritjen e objektivave të skuadrës.
Si e feston Josa një fitore?
Të them të drejtën nuk dua të jem në hapësira të mëdha ku të ketë shumë njerëz, por preferoj të jem me njerëzit e mi të afërt, me shoqërinë time, qofshin meshkuj apo femra. Në një rreth shumë të ngushtë, me të cilët dua të bisedoj, por jo shumë për futbollin.
Nuk më pëlqejnë shumë muzikat e larta, apo ambientet me shumë njerëz, sepse e di shumë mirë që pas çdo suksesi mund të vijë një dështim, prandaj dua të jem i fokusuar tek e ardhmja e skuadrës.
Austria apo Spanja, kë preferon Josa?
Janë dy vende që i frekuentojmë në dy stinë të ndryshme. Një nga gjërat që më gëzon dhe që ndihem i lumtur që jam trajner i Skënderbeut është faza përgatitore qoftë në Austri gjatë verës, qoftë në Spanjë gjatë dimrit.
Dy fazat e fundit në Spanjë kanë qenë shumë të bukura, qoftë edhe për ambientin, por Austria është diçka shumë më e veçantë sepse kryhet një fazë përgatitore më komplete, është më e gjatë dhe kushtet janë të shkëlqyera.
Ndeshja juaj më e bukur si trajner?
Ka shumë ndeshje që mund të më vijnë në mendje, por do të veçoja ndeshjen Ferencvarosh-Tirana në Hungari dhe ajo me Neftçin në Korçë. Pa lënë këtu pas ndeshjet me Vllazninë kundër FC Thunit dhe NK Zagrebit, ku, pavarësisht rezultateve, mua ekipi më ka kënaqur në çdo drejtim.
Po ndeshja më e dobët?
Ka pasur shumë, nuk mund të them që s’kemi pasur. Por e rëndësishme për mua është që të mos përsëriten ndeshjet e fundit të dobëta që Skënderbeu ka bërë. Nuk dua që të përsëriten situata si ajo kundër Laçit vjet kur humbëm dhe ishim gati të hiqnim dorë nga Skënderbeu.
Përveç futbollit, cili sport ju tërheq më shumë?
Unë kam mbaruar institutin e fizkulturës dhe zakonisht të gjitha sportet më pëlqejnë. Basketbolli për mua ka qenë një sport shumë tërheqës që edhe vetë e kam luajtur shumë mirë, por më pëlqen edhe shumë pingpongu dhe kam shumë dëshirë ta luaj. Por më pëlqen të shikoj çdolloj sporti në televizor, por primare kam futbollin.
Çfarë ju nervozon më shumë?
Ajo që më nervozon më shumë është mossinqeriteti dhe mosmirënjohja që në Shqipëri e kemi defekt shumë të theksuar. Mosmirënjohja është një nga gjërat tona për fat të keq dhe një gjë të tillë unë e kam provuar kohë më parë. Gjithashtu mundohem të mbaj distancat e duhura karshi mosmirënjohësve.
Ushqimi juaj i preferuar?
Do të më pëlqente të haja çdo ditë burani. Gatim tradicional i Shqipërisë së mesme. E gatuante shumë gjyshja ime dhe unë jam mësuar me ushqimet e saj. Dhe kur gatuante mamaja i thosha “po nuk e bëre si të gjyshes nuk ha asnjë gjë”. Megjithatë, nuk jam shumë i dhënë pas ushqimit.
Ju ka ndodhur të gatuani ndonjëherë vetë?
Asnjëherë.
Cila është pika juaj e dobët?
Jam shumë i ndjeshëm. Njerëzit nuk duhet të jenë kaq të ndjeshëm sa unë. Problemi është se më ulin shumë poshtë kur dëgjoj probleme sëmundjesh te fëmijët e vegjël dhe më rri mendja atje për ditë të tëra, por edhe për problemet e ndryshme që kanë familjet shqiptare.
Po pika e fortë?
Është diçka që duhet ta vlerësojnë të tjerët, por në përgjithësi si anë të fortë kam idetë profesionale qoftë në anën e futbollit dhe mënyra sesi duhet që të funksionojë një grup. Si e kalon Josa ditën pas stërvitjes? Zakonisht në shtëpi, pranë zjarrit në dimër, pasi në Korçë bën shumë ftohtë.
Lojtarët që do të veçonit më shumë me të cilët keni punuar?
Janë shumë, shumë, por do të veçoja më shumë Duron dhe Mukën te Tirana, por edhe Shkëmbin dhe Shehin këtu te Skënderbeu. Lojtarë që mendojnë për skuadrën dhe që mendojnë për qëllimet e ekipit dhe jo vetëm për veten e tyre. Megjithatë, ka dhe shumë të tjerë në ekipe të ndryshme që kam stërvitur. Por, këta të katërt kanë qenë nga lojtarët më të mirë që unë kam stërvitur.
Lojtari që Josës i pëlqen më shumë?
Në Shqipëri unë do të veçoja Sulejman Demollarin, ndërsa mbi Zinedin Zidanin nuk vendos asnjë futbollist në botë. Mesi dhe Ronaldo janë lojtarë shumë të mirë, janë një epokë tjetër. Nuk ka njeri që të thotë se janë të këqij apo njëri bën dhe tjetri s’bën. Por, mbi Zidanin nuk vendos askënd.
Futbollisti që do të donit ta kishit në ekip në çdo kohë dhe kudo që të shkonit?
Sabjen Lilaj.