Një konflikt në familje përfundoi tragjikisht, me një grua të vrarë dhe një tjetër të plagosur. Ngjarja ka ndodhur mbrëmjen e kësaj të shtune në fshatin Çoçaj të Ndroqit.
Bëhet me dije se shtetasi Kasem Lila, 50 vjeç, po debatonte me bashkëshorten e tij Afize Lila, 47 vjeç, dhe nga të dhënat paraprake mësohet se burri vuante nga depresioni.
Për të shuar sherrin në familjen e tyre kishte shkuar edhe motra e bashkëshortes së Kasem Lilës. Por ky i fundit ka humbur kontrollin dhe ka qëlluar me një armë gjahu duke vrarë bashkëshorten dhe duke plagosur kunatën.
Gruaja humbi jetën në spital për shkak të plagëve të shumta, ndërsa policia arrestoi autorin e ngjarjes.