Shoqata e Ndërtuesve: Afati i pritjes për regjistrimin në hipotekë, të jetë jo më shumë se 15 ditë
Ndërtuesit janë shprehur kundër disa ndryshimeve në ligjin për regjistrimin e pasurive. Në një deklaratë për mediat ndërtuesit shprehen pro regjistrimit të lejes së ndërtimit, por janë kundër pritjes pa afat deri në regjistrimin në hipotekë. Ata kërkojnë që afati i pritjes të jetë jo më shumë se 15 ditë. Është fjala për nenin 46 të këtij ligji, sipas të cilit, zhvilluesit e pronës apo pronarët e truallit nuk mund të lidhin kontrata sipërmarrje apo porosie pa regjistruar lejen e ndërtimit.
Ndërtuesit kundërshtojnë pritjen pa afat deri në regjistrimin në ZRPP. “Shoqata e Ndërtuesve të Shqipërisë shprehet pro regjistrimit të lejes së ndërtimit por nuk mund të jetë dakord me pritjen pa afat deri në regjistrimin në ZRPP e cila do varet se kur do e dërgojë dokumentacionin Bashkia, a do e dërgojë të plotë a me mungesa, kur do i vijë radha e regjistrimit etj. ”- theksohet në deklaratën e Shoqatës së Ndërtuesve.