Deputeti socialist flet për ngjarjet e fundit politike, për debatin brenda PS dhe marrëdhëniet mes dy partive të mëdha në koalicionin qeveritar
“Shikoni marreveshjen Rama-Meta, ajo ka mbetur ende tek darka e ngjalave” ka thënë deputeti socialist pandeli Majko në një intervistë në Top-Channel me gazetarin Sokol Balla. Majko e sheh problematike marrëdhënien mes dy partive duke sygjeruar të bashkëpunonjnë më shumë mes tyre, si dy forca politike të majta dhe me origjinë të përbashkët. Për debatin që ka hapur deputeti Ben Blushi në PS, Majko shfaqet i paqartë pasi mbështet kritikën e Blushit për shkelje të statutit por mbështet edhe qëndrimet e Ramës. Megjihse përpiqet të shfaqet i balancuar duket hapur se ish-drejtuesi i lartë i PS-së, ka vendosur të vazhdojë të jetë krah Ramës pasi thotë se Rama është kryeministër shumë i mirë, pavarësisht kritikave të shumta nga brenda PS dhe opozita.
Pjesë nga intervista
Mendoni që koalicioni po funksionon?
Po, mendoj që po funksionon. Ky problem mbetet më shumë në rrafshin psikologjik dhe mediatik.
Megjithatë, LSI ju nxorri në opozitë, ajo ju solli në pushtet, ajo mund t’ju nxjerrë prapë në opozitë?
Jo sepse marrëveshja u bë në një kohë kur e majta dhe e djathta shkonte në 70-70. Koalicioni funksinon, por nuk është pa probleme. Ka një psikologji të dyanshme, nga LSI mendojnë që ne jemi të pabesë kronikë, kurse ne mendojmë që LSI po e shfrytëzon në mënyrë të mbinatyrshme koalicionin, sidomos me punësimet.
Ju thoni që koalicioni funksionon, por a jeni penduar kur deklaruat në 2013 se përpara koalicionti të 1 prillit preferoni koalicionin e 21 Janarit?
Është një deklaratë e bërë para zgjedhjeve. Unë brenda PS kam qenë që në atë periudhë që të bënim një koalicon paszgjedhor.
Shumë veta mendojnë që kjo deklaratë ju la jashtë kabinetit?
Unë flas për vendimmarrjet e mia, jo të të tjerëve.
Vendimmarrjet e kujt, Ramës apo Metës?
Pandeli Majko: Jo doni…
A ka një rrëshqitje të ideologjisë së PS nga majtas djathtas?
Kam përshtypjen që po flisni me njeriun e gabuar. Po flet me ish-kryeministrin që kur ishte në qeveri liberalizoi bankat, privatizoi Telekomin. Ajo që mund të them me bindje është që qeverisja, pas ’90, ne u shoqëruam nga ndjekja e disa reformave standarde që duhet të kishin ndarësen “po” ose “jo” më shumë sesa ideologjia e majtë e djathtë.
Besoni që e majta ka ngushtuar polarizimet sociale në vend, që i la qeveria e shkuar?
Në këto 3 vite kemi bërë hapa të jashtëzakonshme për të ulur polarizimin, por qeverisja ka patur disa detyra emergjente që të balanconte ekonominë njëherë. Me shifra, 700 mln që u është paguar bizneseve është një nga manovrat ekonomike që edhe më dashakeqi duhet t’ja vlerësojë. Mendoj që duke u ballafaquar me një sistem gjysmë-subvencionues korri një negativitet nga njerëzit. Unë shpesh jam konfliktuar në parlament me njerëzit në qeveri.
A është Edi Rama kryeministri më i mirë që mund të nxjerrin socialistët?
Sot që flasim mendoj që po.
Ju thatë se Rama është kryeministri më i mirë që socialistët mund të kishin sot. Mbani një pozicion në këtë përplasje të fundit Blushi-Rama?
Unë mendoj se problemet e Blushit në lidhje me statutin janë të drejta. Ka shkelje dhe për këtë gjë, unë nuk e kam mohuar sa herë jam pyetur. Ka disa letra të shkruara e zeza mbi të bardhë dhe është e vërtetë që ka shkelje. Por kam mbështetur mbizotërimin e mirëqeverisjes së vendit. Duke u nisur nga kjo, i jap të drejtë kolegut për problemet mbi statutin, por mungesa e përgjegjshmërisë nuk mund të përkthehet në mungesë përgjegjshmërie përballë të gjithë publikut. Prej 2013-s ne kemi marrë votat e publikut edhe në 2015-n për të qeverisur në nivel lokal. Kemi parime të shkelura, por mbi to janë mirëqeverisja.
Ju në ’99-n ishit kryeministër, vinit pas luftës së Kosovës dhe ishit më pak se 30 vjeç. Konkurruat përballë Nanos që kishte dhënë dorëheqjen. Në nëntor të ’99-s për pak vota, pavarësisht popullaritetit dhe mbështetjes ndërkombëtare, nuk ishte mjaftueshëm që ju të fitonit garën në Kongresin e PS. Ju e humbët atë dhe dhatë dorëheqjen. Blushi thotë se, pavarësisht mandatit qeverisës, partia duhet të respektojë rregullat e lojës. Ju jeni shembulli perfekt që tregon se ka ndodhur diçka e tillë.
Unë konkurrova ndaj Nanos, por posti i PS-së ishte vakant. Sjell shembullin kur Meta fitoi zgjedhjet dhe menjëherë pas saj u sfidua nga Malaj në Asamble. Në atë kohë, unë me Metën i kisha marrëdhëniet më keq sesa tani, kur pijmë kafe normal. Në tavolinë, unë i kam thënë Ben Malajt se nuk mund të ishte me të dhe mbështesja Metën për kryeministër, kur u sfidua në emër të parimeve.
Ju politikisht dhe publikisht jemi me Ramën, por pranoni se Blushi ka të drejtë. Si mund të dilet nga kjo situatë?
Unë jam me logjikën që jemi një familje dhe i dua më të mirën asaj. Pohova të dyja kahet e këtij debati.
Mendoni se nga debatet, që kanë mbajtur edhe demokracinë gjallë në vend, po shkoni drejt një skenari tjetër, kur akuzuat ish-kryetarin e PD Sali Berisha?
Ne në atë kohë thoshim se PS dhe PD dallonin nga: te demokratët të gjithë punonin për njëshin, ndërsa te socialistët, njëshi punonte për të gjithë. Sali Berisha ka pësuar të njëjtat akuza, ndërkohë që edhe fëmijët e tij vazhdojnë të vuajnë prej atij paragjykimi.
Ndër vite marrëdhëniet me Blushin kanë qenë të shkëlqyera, por tani duket se nuk ruani të njëjtën konsideratë?
Ai ka qenë një mendje e ndritur, por të jem i sinqertë ai ka synimin për t’u bërë një shkrimtar dhe nuk e di nëse kjo që po ndërmerr është fillimi i një fundi ndaj tij.
Do t’i sugjeronit Blushit të hiqte dorë, të vijonte betejën, apo të shkruante një tjetër libër?
Nuk bazohet marrëdhënia ime mbi këto pyetje…
Pas përballjeve Blushi Rama, ju dilni në mbrojtje të Ramës.
Kjo është në varësi të situatës. Gjithmonë kam qenë në krah të Ramës, kur vjen fjala për qeverisjen e vendit, pavarësisht batutës. Ishte një humor dhe kishim një ambient me të rinj e të reja që po hynin për herë të parë në PS. Doja ta shfaqja këtë histori si një ambient sa më familjar për ta.
Midis Blushit dhe Kokëdhimës, ju zgjidhni këtë të dytin?
Unë nuk dua të ripërsëris veten, kam qenë shumë i qartë me komentet e mia për këtë çështje.
Ju thoni që Blushi është një aset i së majtës, mos komentoni shkrimet e mia.
Padyshim që ashtu si PD-ja dhe LSI-ja janë asete kombëtare.
Akuza e Blushit është që PS po jepet me koncesion.
Absolutisht jo, nuk ka mundësi të jepet PS me koncesion.
Bën shumë sens shumica e gjërave që thotë Blushi, është parimor apo ka gjëra personale meqë është lënë jashtë qeverisjes?
Ka edhe një anë njerëzore, të mos e shmangim nga ky diskutim. Por nëse merremi me njerëzoren, duket sikur nënvlerësojmë atë që ai thotë publikisht.
Duhet apo jo të ketë garë më 19 mars?
Këtë duhet ta gjykojë Kongresi, sepse ai është trupi i vetëm që vendos për këtë. Seriozisht mendoni se po të kandidonte sot Rama për kryetar të PS, ne do të ndiqnim një linjë tjetër? Ta hiqnim atë sepse humbi në Kongresin e PS-së, e për efekt të hiqej edhe si kryeministër? Ky do të ishte një turp i madh përballë të gjithë publikut dhe përballë votuesit. Rama mund të ketë shumë të meta, por ky kokëderr i gjatë nuk mund ta qeverisë këtë vend pa bërë atë që mendon se është më e mira. Kokëderra të tipeve të ndryshme kanë qenë edhe Sali Berisha dhe Ilir Meta, në kohët e tyre. Për të qeverisur këtë vend duhet të qeverisur edhe dobësitë e “derrave”, sepse njerëzit janë të prirur të shohin ato që nuk ke bërë dhe jo ato që ke bërë.
Pritshmëritë i rritët ju?
Nuk po flas në botën e ëngjëjve apo të djajve, por të realitetit. Jo të gjitha pritshmëritë janë realizuar, por nuk jemi zero. Pavarësisht thirrjeve të opozitës.
Cilat janë reformat më të rëndësishme të ndërmarra?
Reforma administrativo-territoriale është më e rëndësishmja. Dua të nënvizoj guximin për të bërë reformat e ashpra të munguara deri më sot, si energjia, legalizimi, balancimi i financave dhe mendoj se Rama është kokëderr në llojin e vet, duke mos i hapur rrugë FMN-së në disa raste. Ka gjëra që nuk shkojnë siç duhet, por duke parë këto nuk duhen harruar ato që janë bërë.
Të flasim për garën e PS-së. Ka një ngërç dhe ju jeni i qartë në pozicionin tuaj. Politikisht jeni me Ramën, pavarësisht se Blushi ka të drejtë parimisht. Jeni 7 vite me një kryetar dhe s’kemi bërë zgjedhje të reja. Blushi kërkon “një anëtar një votë”. Ju si senator, me përgjegjësi e kosto për hir të partisë suaj, si duhet të zgjidhet kjo në Kongres.
Do të ketë padyshim një votim dhe diskutimi do të jetë real. Sa u përket parimeve, do të ballafaqohen çështjet parimore me ato politike. Ne në përgjithësi kemi qenë një parti me protokolle shumë të ashpra dhe rregullat i kemi ndjekur me rigorozitet të madh. Mos më tregojë njeri problemet e statutit, sepse procedurat janë respektuar gjithnjë.
Ju keni pasur një problem gjithnjë, që quhet Ilir Meta…
Jo, aspak. Ka pasur probleme keqkuptimesh apo mosdakordësim mirëkuptimesh, por kjo nuk do të thotë që të nxjerrësh rrobet e palara të shtëpisë tënde.
Kokëdhima është një përfaqësues i së majtës dhe partisë suaj?
Ai është një deputet i majtë. Të dy si karaktere po na bezdisin pak. Blushi po kërkon të nxjerrë në pah mosrespektimin e parimeve, kurse Koço po na provokon disi nervat. Ia kemi thënë edhe hapur përballë, ne jemi këta që jemi në PS, por pas debatit kemi një balancim të situatës dhe e pëlqejmë këtë historinë me debate në Shqipëri.
Blushi thotë se të bëhesh deputet nuk mjafton të lexosh libra, por të kesh një armë pa leje.
E pavërtetë. Nuk po them se niveli është super, nuk e krahasoj me vitet 92-96 kur ne ishim në opozitë, kur kemi qenë grupi më i mirë i të gjitha kohërave. Shpresoj që Ndocaj të kuptojë se e kemi sensin e humorit dhe dëshirojmë të bëjmë shaka, askush nuk ka guxuar që me 3 muaj deputet të bëhet kryetar apo të garojë për kryetar të PS-së. Këto sindroma i kalojmë thjesht me një buzëqeshje.
Sistemi ynë i ka dhënë shumë pushtet kryetarëve, saqë një parti si PS gjendet në një realitet të ri, kur lidershipi i saj po bëhet disi autoritar.
Varet nga këndvështrimi juaj sesi e shikoni autoritarizmin. Nuk kam ardhur këtu të them që Rama është një ëngjëll, ardhja e të cilit ka ndriçuar të gjithë familjen socialiste. Kam qenë relator në ligjin e pronave, kur unë s’kam votuar për ligjin, që Presidenti e ka çuar në Kushtetuese.
Edhe Blushi nuk e ka votuar.
Unë kam vajtur te Rama dhe i kam thënë që tërhiqem nga relatori dhe votën time e ke kundër. Nuk do të dal kundër, por ky është qëndrimi im. Ky nuk ishte një debat që duhej bërë gjithçka siç thoshte ai. Varet si e shikoni në një mënyrë dhe kohë të caktuar kërpudhën e politikës. Autoritarizmi në PS varet si e shikon. Rama nuk është i prerë për të ecur sipas protokolleve, eksperienca e tij e vetme kur u bë kryetar ishte si kryebashkiak. Ndryshe nga çfarë mendoja unë, në Kongresin e 2007-s unë dhashë dorëheqjen dhe u zëvendësova nga Blushi. Por të themi që po qeverisemi nga një diktator, është e tepërt. Ai është një fëmijë në shpirtin e vet.
Nga çfarë motivohet blushi në misionin e tij politik.
Kësaj pyetjeje duhet t’i përgjigjet Blushi.
Ai i është përgjigjur. Ju thoni se ai ka të drejtë, por po dëmton PS-në.
Nëse do të ishte debat për të mirën e partisë, ai do të kishte më shumë mbështetës. Por jam absolutisht kundër tij, nëse papërgjegjshmëria e tij do të ishte përballë të gjithë publikut.
Përtej debatit, nuk duket se PS me këtë mungesë gjallërie, është zbehur?
Po ta krahasosh me KPD e famshme duket një gri e madhe përballë.
Nuk është më ajo PS e dikurshme, a nuk jeni nostalgjikë?
Nostalgji kam unë, por problemi është që kjo që po ndodh me njerëz me natyra të ndryshme dhe histori kaq të veçanta më bëjnë të ndjehem mirë.
Përtej ambicieve apo shqetësimeve të Blushit, ka një shqetësim në gjirin e të majtëve, se me këtë gjendje, e majta nuk përballet me një situatë apo panoramë rozë në 2017?
Këtu keni të drejtë. A i qëndroj asaj që kam thënë pas 1 prillit? Mua më tmerron edhe data 1 prill por edhe të tjerat. Unë nuk dua të shoh ngjala me sy. Sot marrëveshja PS-LSI ka mbetur në nivelin e asaj darke dhe duhet të ridimensionohet. Duhet ta ridimensionojmë. Të bëjmë një mbledhje të përbashkët të dy asambleve të partive tona dhe të kthehet marrëveshja në një platformë.
Në këtë situatë a i fitoni zgjedhjet?
Nëse e majta qëndron e bashkuar, e djathta nuk shikon ditë të bardhë në këtë vend.
Ju jeni një figurë me popullaritet. Vitin tjetër kemi zgjedhjen e presidentit. Ramën, kur e kam pyetur këtu i kam thënë a nuk është koha për një president të dalë nga e majta, ju si mendoni?
Do të ketë bisedime edhe me opozitën…
Duhet t’i impononi opozitës një figurë nga e majta?
Shumë e vështirë kur ke përballë doktorin dhe pastaj kryetarin aktual.
Heshtja juaj e theksuar brenda partisë me ligjin e dekriminalizimit, a nënkupton gjuajtjen e kusisë për postin e presidentit?
Jo nuk është kështu. Kam qenë goxha aktiv për ligjin e dekriminalizimit. Jam i orientuar më shumë tek ligji i reformës në drejtësi. Dosjet, dekriminalizimi dhe reforma në drejtësi janë tre gjërat që na duhen.
Kjo çështja e Byrosë më duket pak si misterioze. Ishte flamur i PS në fushatë, sot flamurtari i saj është opozita? Çfarë e frenon Ramën që të thotë po e miratojmë kështu siç është?
Është një teknikalitet sesa për qëndrimin.
Pas Blushit e keni radhën ju…
Jo nuk është ashtu. Nuk më mban Edi Rama mua në PS dhe as të tjerët si puna ime. Kjo është e qartë.
A është Veliaj modeli i së nesërmes në PS?
Do të jetë një histori e dhimbshme se do mbyllet një kapitull dhe do hapet një tjetër për ata që u vjen radha. Për fatin tim të keq dhe të Ilir Metës ne për arsye të çuditshme që janë zhvilluar brenda PS.Jemi këtu ku jemi.
Është e vërtetë që po merrni pasaportën e Kosovës?
Po e kam bërë kërkesën. Shpresoj të ma pranojnë. Kam dëshirë që të kem një apartament timin në Prishtinë dhe dua të shkoj në punë duke u nisur nga Prishtina dhe të vij këtu në Kryesinë e Kuvendit.
Është folur, që ka një ëndërr Pandeli Majko që të vazhdoj karrierën politike në Prishtinë.
Mbase pse jo. Tani që ma thatë ju po e mendoj.
Mendoni që keni ende për të dhënë në PS?
Jam një produkt i Partisë Socialiste.