Në pesë ndeshje që kemi luajtur kundër Spanjës ndër vite kemi pësuar 24 gola dhe kemi shënuar vetëm dy, një me anë të Shkëlqim Muçës dhe një tjetër që ka autor Sokol Kushtën. Pra janë pesë humbje, një prej të cilave 9-0 dhe veç të tjerash, Spanja e asaj kohe nuk ka fituar asgjë. Ndërsa kjo e sotmja është një nga skuadrat më të frikshme të Globit dhe një pjesë e këtyre futbollistëve që e përbëjnë kanë fituar të gjithë trofetë e mundshëm që ekzistojnë në futboll. Por edhe kur kemi qenë shumë më modestë se tani kemi mundur të realizojmë një ndeshje për t’u fiksuar në memorje. Gati 30 vjet më parë, në “Qemal Stafa” jemi mundur 1-2, pas një pjese të parë të shkëlqyer të kurorëzuar me një gol të Muçës në të 28’, që mbeti edhe i vetmi gjatë kësaj periode. Në të dytën na kanë ndëshkuar Atrehe në të 66’ dhe Hoakin vetëm 6 minuta përpara se të përfundonte takim.
Ish-sulmuesi i Realit dhe përfaqësueses spanjolle, Emilio Butragenjo
Edhe atëherë, iberikët kanë pasur në përbërje yllin e Realit, Emilio Butragenjo dhe atë të Barcelonës, Hoze Maria Bakero, të cilët në ato pesë ndeshje të luajtura na kanë shënuar nga katër gola secili. Tani i takon këtyre të tanishmëve të mundohen të na përsërisin atë historinë e 30 vjetëve më parë, mundësisht me një fund më të lumtur.
Shqipëri – Spanjë (3 dhjetor 1986)
Formacioni: Perlat Musta, Skënder Hodja, Rrapo Taho, Hysen Zmijani, Fatbardh Jera, Sulejman Demollari, Alfred Ferko (Agustin Kola), Mirel Josa, Bedri Omuri, Shkëlqim Muça, Arben Minga. Tr. (Agron Sula)
Shqipëri – Spanjë (9 tetor 2016)
Formacioni: Etrit Berisha, Elsaid Hysaj, Berat Gjimshiti, Mërgim Mavraj, Ansi Agolli, Taulant Xhaka, Amir Abrashi, Burim Kukeli (Jahmir Hyka), Odise Roshi, Ledion Memushaj, Bekim Balaj (Sokol Cikalleshi). Tr. Xhani De Biazi