Aktorja e preferuar e Pep Guardiolas, Julia Roberts, ka uruar publikisht trajnerin e Manchester Cityt për fitimin e Champions League me skuadrën e tij.
City ngriti trofeun e parë të Champions League, pasi mposhti Interin 1-0 të shtunën mbrëma. Për shkak të këtij triumfi të arritur nga “Qytetarët”, aktorja e shquar amerikane Julia Roberts ka uruar Guardiolën.
Në veçanti, aktorja ka publikuar në llogarinë e saj në Instagram një foto të teknikut 52-vjeçar, duke përqafuar trofeun. Ajo ka shkruar në mënyrë protokollare: “Urime Pep që udhëhoqët skuadrën tuaj drejt fitimit të UCL”.
Kjo erdhi pas asaj që Guardiola kishte deklaruar në të kaluarën. Trajneri nuk kishte ngurruar të shprehte zhgënjimin e tij, që aktorja nuk kishte shkuar për të parë një ndeshje të Manchester United në të kaluarën. Ai tha në atë kohë: “Edhe nëse fitoj Champions League, nuk do të krahasohet me këtë zhgënjim që pata”.
“Julia Roberts vite më parë erdhi në Mançester. Jo në vitet ’90 kur Sir Alex Ferguson po fitonte tituj. Ajo erdhi kur ne ishim më mirë se United, në ato katër apo pesë vjet, apo jo? Dhe ajo shkoi për të parë United. Ajo nuk erdhi tek ne.”
Por tani, aktorja ka uruar fansin e saj më të madh për fitimin e Champions League. Ndoshta kjo do të jetë në gjendje të… zbusë pikëllimin që i kishte shkaktuar Guardiolës.