Një mega-operacion i zhvilluar së fundmi nga EUROPOL në bashkëpunim me ‘Gurdia di Finanza’ ka çuar në sekuestrimin e mbi 19 milionë lodrave në mbi 6000 ndërhyrje ndërkombëtare. Vlera totale e lodrave të sekuestruara është rreth 79 milionë euro. Gjatë operacionit janë denoncuar administrativisht 298 subjekte dhe në Autoritetin Gjyqësor 205 persona.
Lodrat e tërhequra nga tregu nuk plotësonin standardet e sigurisë të kërkuara nga legjislacioni kombëtar dhe evropian dhe nuk ofronin informacion thelbësor për blerësin, shkruajnë mediat e huaja. Lodrat janë të modeleve edukative, argëtuese dhe elektronike, si dhe lojëra video dhe kukulla me personazhe nga shfaqjet e njohura televizive për fëmijë.
Operacioni u krye nga 5 shtatori 2022 deri më 31 janar 2023 në 29 shtete anëtare. Si pjesë e nismave të bashkëpunimit ndërkombëtar në sektorin e mbrojtjes së tregut të mallrave dhe shërbimeve, Guardia di Finanza i është bashkuar edicionit të tretë të operacionit ndërkombëtar “Ludus”, organizuar nga Europol dhe synon të luftojë tregtimin e lodrave të falsifikuara, të pasigurta ose jo në përputhje me rregulloret aktuale.