Policia zhduk nga kazanët romët, egjyptasit, të varfërit që mbledhin kanaçe e bidona plastikë apo mbetje të tjera. Loja e pisët e qeverisë më ligjin e riciklimit të plehrave që garanton malet e larta me plehrat vendase në periferitë e qyteteve.
Pastrimi i qytetit ishte një ndër justifikimet, me të cilat kryeministri kërkoi të bindë qytetarët për importin e plehrave. Sipas kryeministrit importi do të forcojë industrinë, e cila do të menaxhojë më mirë plehrat brenda vendit.
Me pak fjalë synohet edhe pastrimi i qyteteve nga plehrat. Në të vërtetë e kundërta po ndodh. Ligji garanton importin e plehrave, ndërkohë që po ndalohet riciklimi i plehrave brenda vendit. Këtë e mundëson aksioni i përqendruar i policisë për të ndaluar ricikluesit e vegjël, të cilët i mbledhin plehrat në kazanët e vendosura kudo nëpër Tiranë. Vetëm në kryeqytet janë të identifikuar 3500 riciklues të vegjël që mbledhin nëpër kazanë. Nëse ata kapen nga policia duke mbledhur kanaçe, gjobiten, por nëse janë përsëritës plasen në burg.
Amarildo dhe Shpresa janë një çift rom që prej vitesh ushqejnë fëmijët e tyre duke mbledhur kanaçe nëpër kazanët e plehrave. I çojnë në fabrikat e riciklimit kundrejt një pagesë modeste që iu shërben për të mbajtur frymën gjallë. 27.al i ka ndjekur dy romët në një ditë pune të tyren, por ka qenë e pamundur t’i intervistosh apo t’i fortografosh. Sapo i drejton aparatin ikin me vrap. Ata thonë se ka ditë që policia duket shpesh nga kazanët e tyre dhe nuk i lë të qetë të punojnë. Një javë më parë policia i ka gjobitur me 30 mijë lekë.
Si ata janë rreth 3500 persona, kryesisht të komunitetit rom e egjyptian, por edhe të shtresave të varfra të periferisë së Tiranës. Me miratimin e ligjit të ri për riciklimin e mbetjeve, ata janë të parët që penalizohen. Ligji i ndalon ata të mbledhin në kazanë plehrash, pasi ndarja e mbetjeve supozohet të kryhet që në burim, pra qytetarët duhet t’i ndajnë plehrat në kategori dhe t’i çojnë në kazanë të ndara dhe kështu ato mbërrijnë të kategorizuara nëpër fabrikat e riciklimit. Por, kjo procedurtë nuk ndodh dhe duket se do të duhen vite të tëra të arrihet në këtë standard. Këtë punë të ndarjes së mbetejeve në burim e kanë kryer këta riciklues të vegjël prej vitesh në kryeqytet. Por, me sa duket nuk do të mund të vazhdojnë më. Përqendrimi i aksioneve të policisë për të arrestuar skamnorët riciklues është në funksion të ndaljes se mbledhjes së mbetjeve brenda vendit për t’i hapur rrugë importit të plehrave nga vendet fqinje.
Ky është një ndër problemet serioze të ligjit të shumëpërfolur për importin e mbetjeve në Shqipëri, pas të cilit me sa duket fshihet afera e importit të plehrave nga vendet fqinje drejt Shqipërisë.
Sipas kësaj logjike, në Shqipëri do të vijnë tonelata me plehra nga më të ndryshmet e nga vende të ndryshme ndërsa nëpër periferitë e qyteteve tona do të lartësohen malet me plehra. Sepse ricikluesit e vegjël nuk do të ekzistojnë më.