Mbyllet seanca e dytë gjyqësore në Hagë ndaj ish-krerëve të UÇK-së. Kryetari i trupit gjykues, Charles Smith, tha se seanca tjetër do të mbahet nesër në orën 09:00, në të cilën avokati mbrojtës i Jakup Krasniqit do të prezantojë deklaratën para trupës gjykuese.
“Këtu mbyllet seanca e sotme publike. Do të rimblidhemi nesër në orën 09:00 për të vijuar me deklaratën hyrëse të Mbrojtjes së z. Krasniqi”, tha kryegjykatësi.
Të hënën nisi gjykimi ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit, me deklaratën hyrëse të Prokurorisë. Sot fjalën mbrojtëse e dhanë para gjyqit avokatët e Thaçit, Veselit e Selimit. Thaçi dhe Selimi zgjodhën që t’i thonin disa fjalë edhe vetë.










