Nuk ka fitues në derbin Partizani – Tirana, ndërkohë që ishte një ndeshje e këndëshme dhe e mbuluar nga një dekor spektakolar të tifozëve që mbetën entuziastë deri në fund të 90 minutëshit. Në pjesën e parë, të dy skuadrat kërkojnë të surprizojnë njëra tjetrën, Partizani me Torasën, Vilën dhe Ekuban, të mbështetur nga Batha e Trashi, por edhe kundërpërgjigjet në portën e Hoxhës nuk kanë munguar. Afrikanët Edek, Merville dhe Moses kombinojnë mirë me njëri tjetrin, madje shfrytëzojnë edhe shpejtësinë e tyre që ndonjëherë bën edhe diferencën. Ndërsa në pjesën e dytë është skuadra e kuqe që dominon, madje është edhe e pafat, pasi dy goditje të Torasës dhe Bathës janë përplasur në shtyllat e portës së Likës. Ndërsa në minutat e fundit janë edhe dy raste të shkëlqyera në secilën portë, fillimisht me Bardhin që tenton me finte, kur mund të ishte treguar edhe më i thjeshtë dhe në krahun tjetër Edek, i vetëm përballë portës kundërshtare hipnotizohet nga Hoxha. Përfundimisht, në pesë takimet e javës së katërt është shënuar vetëm një gol në Korçë, ndërsa katër ndeshjet e tjera kanë përfunduar 0-0.