“Mirëserdhe Marash”. Mediat italiane e vlerësojnë maksimalisht performancën e mbrojtësit shqiptar Marash Kumbulla i cili shënoi sot në minutën 87 në ndeshjen që Roma fitoi 2-0 kundër Real Sociedad për Europa League.
Goli tejet i vlefshëm për kualifikimin në çerekfinale erdhi me kokë, një nga pika të forta të mbrojtësit 23-vjeçar, që sheh sot një mundësi për të ndryshuar drejtimin e një sezoni deri më tani negativ.
Pikërisht dita e sotme dukej pika më e ulët e eksperiencës së tij me Romën, ku trajneri Mourinjo i kishte preferuar blerjen e fundit Llorente.
Por spanjolli u zëvendësua që në fillimin e pjesës së dytë, dhe shqiptari tregoi se mund të jetë një element cilësor i ekipit verdhekuq. Përqafimet e marra nga shokët e ekipit tregojnë se edhe ata besojnë në mbrojtësin kuqezi, që sot shënoi golin e dytë me këtë fanellë.