Dan Hutra, që akuzohet se ka vrarë 3 gra në Tiranë dhe plagosi tre të tjerë, ka dhënë dëshminë në polici.
Hutra ka thënë se kishte në plan që të vriste 4 persona. Sipas tij, gruaja në Astir i ka pasur 80 mijë euro borxh, ndërsa detajet që jep janë drithëruese.
Dan Hutra: Planin e kisha të përgatitur dhe kisha 4 objektivë për të vrarë. Në fillim doja të vrisja 40-vjeçaren në Astir, të cilën doja ta prisja në fyt, por u largua dhe në dyqan u futën njerëz të tjerë. Doja ta vrisja sepse më kishte 80 mijë euro borxh. Nuk doja ta qëlloja me armë sepse më pas nuk realizoja dot vrasjet e tjera.
Më pas shkova në Kodër-Kamez, sepse doja të vrisja ish-vjehrrin, por duke qenë se nuk e gjeta në shtëpi, kam qëlluar ndaj grave. Pasi më mbaruan plumbat nxora thikën dhe sulmova me thikë. Më pas kisha dy objektivë, vëllain e Vladimir Kurtit dhe një person tjetër që i ka dhënë pistoletën vrasësit të babait tim para 23 vitesh.
Duke qenë se e kisha më afër dhe nuk kishte trafik shkova te shtëpia e Vladimir Kurtit. U futa në banesë dhe nuk gjeta njeri, po kërkoja vëllain e Vladimir Kurtit. Kur dola në oborr thirra: a ka njeri këtu? Dhe doli motra e tij. Qëllova ndaj saj, ndërsa ndaj nënës nuk qëllova vetë, sepse nuk doja ta vrisja.
Vrasjen e bëra sepse kisha sherr me vëllain e saj në burg dhe e kisha paralajmëruar. Mora makinën dhe u largova drejt Sharrës dhe rrugës jam ndeshur me disa patrulla policie të cilat shkonin drejt vendngjarjeve. Kur arrita në Kodër po prisja ardhjen e objektivit tjetër. Pas kryerjes së vrasjes së katërt unë do dorëzohesha vetë dhe do shkoja në burg.