Kupa e Shqipërisë ka zhvilluar pasditen e sotme dy çerekfinalet e radhës. Në ndeshjet e para, Vllaznia fitoi 3-1 me Partizanin, ndërsa në Durrës, Teuta fitoi 2-0 me Kukësin. Ndeshjet e kthimit mes këtyre skuadrave zhvillohen në 15 mars.
Në stadiumin “Loro Boriçi” në Shkodër, Vllaznia fitoi 3-1 me Partizanin në fazën çerekfinale në Kupën e Shqipërisë. Ndeshja e parë u zhvillua nën reshjet e dendura të shiut, me motin që i buzëqeshi vendasve.
Dueli u hap në minutën e 11 me Kaina, kjo edhe pas gabimit të Alban Hoxhës. Në minutën e 33 Çoba dërgoi shifrat në 2-0, para se Massanga në të 44 minutë të shënonte një supergol për rezultatin 2-1.
Në pjesën e dytë, përkatësisht në të 52 minutë ishte Kaina që do shënonte dopietë personale dhe golin e tretë te Vllaznia. Megjithë reshjet e shiut, tifozët e Vllaznisë qëndruan deri në fund në stadium. Ndeshja e kthimit mes tyre do zhvillohet në 15 mars.
Në stadiumin “Niko Dovana” në Durrës, Teuta fitoi 2-0 me Kukësin në ndeshjen e parë të fazës çerekfinale të Kupës së Shqipërisë. Dopieta e Sherif Kallakut ka bërë që djemtë e Martinit të hedhin një hap konkret për kalimin e fazës. Pjesa e parë u mbyll pa gola, me rrjetat që u tundën në 45 minutat e dyta.
Në të 59 minutë Kallaku shënoi nga pika e bardhë e penalltisë, ndërsa në të 72 minutë fantazisti dhuroi një perlë ngë goditja e dënimit.
Kupa e Shqipërisë – faza çerekfinale – e mërkurë:
Teuta 2-0 Kukësi
Vllaznia 3-1 Partizani