Stuhia “Xhuliet” ka pushtuar Spanjën që prej të hënës, duke bërë që disa rajone të zbardhen totalisht nga dëbora. I ftohti i acartë ka pushtuar të gjithë shtetin iberik.
Sipas meteorologëve, acari i këtij fundshkurti, vjen nga arktiku.
Në rajonin e Katalunjës, temperaturat arritën deri në -20 gradë celsius të hënën. Po ashtu, edhe Barcelona është zbardhur prej 24 orësh. Stuhia “Xhuliet” pritet të shkaktojë temperature të ulëta dhe erëra të forta në të gjithë Spanjën, deri në fundjavë.
I ftohti i acartë ka pushtuar edhe Shtetet e bashkuara të Amerikës. Por ndonëse një pjesë e mirë e Amerikës po jeton prej javësh nën dëborë e acar, përtej parashikimeve rezulton Kalifornia, atje ku ishte parashikuar që ditët e fundit të shkurtit të sillnin pranverën e parakohshme. Por në fakt, që prej fundjavës së shkuar, edhe Kalifornia është zbardhur e gjitha, nga dëbora e dendur, me mijëra banorë në panik, të pamësuar me këtë të ftohtë të pazakontë.
Shërbimi Meteorologjik Kombëtar ka paralajmëruar se stuhia dimërore do të vazhdojë deri këtë të shtunë në Kaliforni, por edhe më e fortë pritet të jetë në Kolorado, Jutah, Arizona dhe Nju-Meksiko.