Trajneri i Atalantas së Bergamos, Gian Piero Gasperini ishte protagonist i një konflikti me disa tifozë të Milanit pas ndeshjes së humbur nga Atalanta në ‘San Siro’. Teksa u largua nga stadiumi me makinën e tij personale për të shkuar në shtëpi, trajneri u rrethua në trafik nga një makinë që mbante tifozë kuqezi, të cilët, duke e njohur, filluan të bërtasin ndaj tij.
Në klipin, i cili u bë viral, në një moment dëgjojmë: “Nuk ke fituar kurrë një m***”. Gasp më pas hodhi sanduiçin që po hante, i cili përfundoi në makinën tjetër nga dritarja. Trajneri, duke vazhduar të shajë kundër tifozëve, më pas ngriti dritaren për të mos lejuar që i njëjti sanduiç, t’i rikthehej nga makina tjetër.