Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti foli për mediat pas përfundimit të takimit në Bruksel, të cilin e quajti pozitiv dhe konstruktiv. Kurti tha se pas takimit se janë në rrugë të mirë për arritjen e marrëveshjes dhe arritjes së fqinjësisë së mirë evropiane.
“Patëm takim pozitiv dhe konstruktiv. Takimi ishte konfirmim që propozimi evropian është i pranueshëm dhe i pandryshueshëm. Ecje përpara do të ketë për planin e zbatimit, për cka do të ketë diplomaci të fluturimit, që thuhet.
Dhe do të ketë edhe takime të nivelit të lartë me facilitimin e takimeve nga zotëri Borrell dhe zotëri Lajcak. I falënderoj të dy dhe besoj se jemi në një rrugë të mbarë mbarë për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë dhe rrugë një kahëshe për fqinjësi të mirë evropiane”, tha ai.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, u takuan sot në Bruksel, me ndërmjetësimin e shefit të politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borrell dhe të dërguarit të BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak. Në përfundim të takimit nuk u arrit asnjë marrëveshje dhe bisedimet për çështjen u shtynë më 18 Mars në Maqedoninë e Veriut. Paraprakisht, dy udhëheqësit u takuan veç e veç me zyrtarët evropianë.
Kurti dhe Vuçiç takuan edhe të dërguarin e SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, përpara takimit të përbashkët. Blloku evropian e konsideron takimin e sotëm mes tyre të gjashtin me radhë si më të rëndësishmin. Propozimi, i cili u është dorëzuar atyre që në fund të verës, përkrahet edhe nga Shtetet e Bashkuara. Propozimi evropian nuk e përmend në mënyrë specifike Asociacionin, por përfshin zotimin e të dyja palëve për t’i zbatuar të gjitha marrëveshjet e arritura në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve, e ku bën pjesë edhe ajo për Asociacionin.