Kryeministri i Spanjës, Pedro Sánchez ka folur për qasjen ndaj Kosovës. Sipas mediave të huaja, Sánchez, i cili po qëndron në Slloveni për një vizitë zyrtare, ka refuzuar të deklarohet lidhur me këtë çështje duke u shprehur se në këtë fazë gjëja më kryesore është mbështetja e dialogut Kosovë – Serbi dhe arritja e një marrëveshjeje mes dy shteteve.
“Gjëja më e rëndësishme në këtë kohë është mbështetja e dialogut në të cilin mund të arrihet një marrëveshje dhe jo të parashikohen skenarë,”- ka deklaruar kryeministri.
Deri më tani, Spanja është njëra nga pesë shtetet e Bashkimit Evropian, e cila po refuzon ta njohë pavarësinë e Kosovës, e mendohet se mosnjohja spanjolle e Kosovës lidhet me kundërshtimin e qeverisë ndaj lëvizjeve të pavarësisë baske dhe katalanase. Megjithatë kryeministri spanjoll ka zhvilluar takime me homologun e Kosovës, Albin Kurti gjatë eventeve në të cilat kanë rastisur të dy.