Krerët e Francës dhe Gjermanisë kanë thënë se dialogu midis Kosovës dhe Serbisë, që ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian, është thelbësor në rrugën e Prishtinës dhe Beogradit drejt bllokut evropian.
Kështu është thënë në letrat e ndara që presidenti francez, Emmanuel Macron, dhe ai gjerman, Frank Walter-Steinmeier, i kanë dërguar homologes së tyre kosovare, Vjosa Osmani, për 15-vjetorin e shpalljes së pavarësisë së Kosovës.
Letra
Në letrën drejtuar Osmanit, Macron theksoi nevojën e rinisjes së bisedimeve në kuadër të dialogut të Brukselit.
“Është thelbësore të rifillojnë diskutimet për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, që është element qendror për perspektivën evropiane të dy vendeve dhe për sigurimin e stabilitetit të rajonit dhe kontinentit evropian. Ne presim që të dy vendet të angazhohen plotësisht në dialogun e lehtësuar nga Bashkimi Evropian”, shkroi Macron.
Steinmeier
Ndërkaq, Steinmeier tha se Gjermania mbështet perspektivën evropiane të Kosovës, por shtoi se dialogu me Serbinë, mbetet “sfidë thelbësore” për Kosovën.
“Dialogu me Serbinë, i udhëhequr nga BE-ja, mbetet një sfidë thelbësore për vendin tuaj referuar normalizimit të marrëdhënieve të të dyjave vendeve dhe promovimit të qëndrueshëm të sigurisë dhe stabilitetit rajonal. Se sa i rëndësishëm është angazhimi i të dyja palëve në bisedime, këtë e kanë treguar rishtazi edhe tensionet e fundit. Gjithashtu, gatishmëria e të dyja palëve për një bashkëpunim konstruktiv dhe një bashkëjetesë paqësore mbetet esenciale për rrugën drejt BE-së”, tha ai.
Kosova dhe Serbia zhvillojnë dialog për normalizimin e raporteve që nga viti 2011. Së fundmi, palët kanë pranuar propozimin evropian – që njihej fillimisht si propozimi franko-gjerman – për normalizim.
Ky dokument nuk është bërë publik. Por, në një draft në të cilin ka pasur qasje Radio Evropa e Lirë aty nuk përmendet në mënyrë specifike njohja, por parashihen të drejta të barabarta për Kosovën dhe Serbinë, respektim i integritetit territorial, paprekshmëri e kufijve, njohje e simboleve shtetërore dhe një aranzhim i veçantë për komunitetin serb në Kosovë.
Procesi i dialogut, që ndërmjetësohet nga BE-ja, synon normalizimin e plotë të raporteve përmes një marrëveshjeje përfundimtare. Por, palët kanë qëndrime të ndryshme sa i përket kësaj marrëveshjeje. Kosova insiston se marrëveshja duhet të përfshijë njohjen reciproke, por Serbia insiston në një zgjidhje kompromis, pa treguar se për çfarë kompromisi bëhet fjalë.