Nga Genc Sejko– I bombarduar gjatë javës nga lajmet mbi BBV dhe Luizin kisha vendosur që për herë të parë ta ndiqja me vëmendje emisionin e shumë përfolur.
Le të jemi të vërtetë në pikën që BBV ka arritur të marrë vëmendjen e publikut për arsyen e thjeshtë se në të është projektuar e tashmja, ajo çka ndodh me shoqërinë shqiptare.
Ajo që ndodh brenda mureve të një eksperimenti social nuk është asgjë më shumë se vulgariteti, linçimi publik, dhuna dhe padrejtësia që e has në çdo hallkë të jetës në Shqipëri. Ne habitemi dhe tallemi kur një drejtoreshë e Rilindjes transporton drogë por indinjohemi kur një personazh i ashtëquajtur VIP vishet, sillet dhe trajton të tjerët me arrogancë dhe kërcënon “hajde se flasim kur të dalim”.
Drejtoresha e rilindjes, modeli i vajzave që janë në BBV reflektojnë rolin e të “fortit” në shoqërinë shqiptare. I atij që paguan policin, prokurorin, gjykatësin dhe nuk i hyn gjëmb në këmbë. Është modeli rilindas me të cilin o do përplasesh me dhunë ose do tërhiqesh.. ose në rastin më të mirë do largohesh nga ky vend.
Ndaj cirku që ofron një TV kombëtar ka audiencën maksimale, mbështetjen dhe ndarjen mes personazheve madje prodhon dhe protesta. Sepse në pamundësi për të ngritur zërin ndaj padrejtësive dhe arrogancës se Rilindja të heq nga puna, në vështirësi për të besuar tek një parlament apo parti politike që prodhon me raste më shumë vulg se Kevina Kthjella, mendjet e lodhura dhe te mpira të shqiptarëve ndjekin cirkun e BBV.
Atje ku ndriçimi i studios nuk e fsheh dot mjerimin moral të një shoqërie që bën tifo për dikë që shfaqet normal, me dobësitë dhe vërtetësinë njerëzore por që përballë ka linçuesit, të fortët dhe arrogancën që bashkë me luksin vulgar që prodhojnë lekët e krimit dhe drogës mbizotëron dhunshëm jo vetëm brenda një shtëpie të stisur me ngjyra por përballë çdo qytetari.