Ndeshja mes Leçes dhe Lacios në Serinë A ka kthyer dje skenat e turpshme të koreve raciste. Samuel Umtiti dhe Lamek Banda të Leçes ishin viktima të ulërimave dhe koreve raciste të tifozëve të Lacios, gjë që ka sjellë hetim dhe masa disiplinore ndaj klubit bardhekaltër.
Organet e drejtësisë sportive kanë bërë të ditur se kanë mbyllur tribunën “Curva Nord” në ndeshjen e radhës që Lacio luan në shtëpi, si dënim për sjelljen e grupeve të organizuara të tifozëve të cilët ishin të pranishëm në stadiumin e Leçes gjatë ndeshjes që bardhekaltrit humbën me shifrat 2-1.
Në shpjegimin e këtij dënimi theksohej se të tre delegatët e pranishëm në stadium dëgjonin qartësisht thuajse të gjithë tifozët lacialë të pranishëm të lëshonin kore të tilla raciste kundër futbollistëve të Leçes. Situatë që kishte çuar edhe në ndërprerjen e ndeshjes për disa minuta me folësin e stadiumit që kishte paralajmëruar për masa të ashpra ndaj atyre që përsëritnin gjeste të tilla.
Ndërkohë, bëhet e ditur se ka nisur hetimi edhe ndaj ultrasve të Napolit të pranishëm në “San Siro” për ndeshjen ndaj Interit, pasi ata kishin shenjëstruar me thirrje raciste Romelu Lukakun gjatë ndeshjes së të mërkurës. Megjithatë, në rastin konkret po zhvillohen hetime më të hollësishme pasi në teori, nuk duhej të kishte tifozë udhëtues në këtë ndeshje e cila vlerësohej si e “rrezikshmërisë së lartë”.