Finalja e Botërorit të Katarit midis Argjentinës dhe Francës është ende e freskët dhe polemikat vijojnë të mbajnë “ndezur” debatin në rrjetet sociale, me “Gjelat” që kishin pretendime edhe për shkelje të rregullores nga arbitri Ii ndeshjes.
Francezët kanë shfaqur rezerva për mënyrën sesi gjykoi arbitri nga Polonia, Szymon Marciniak, çka e ka shtyrë këtë të fundit të dalë në një konferencë për shtyp, duke sqaruar një nga episode e ndeshjes.
Bëhet fjalë për golin e 3-të të Argjentinës, i cili sipas “Trikolorëve” duhet të anulohej për shkak se disa lojtarë rezervë dhe pjesëtarë stafi të Argjentinës u futën në fushën e lojës kur Messi goditi topin.
“Së pari, kjo situatë për të qenë e dënueshme duhet të kushtëzojë lojën. Çfarë ndikimi patën rezervat që u ngritën nga stoli dhe hynë në fushë? Ata kërkojnë justifikime, janë gazetat serioze dhe ata që kërkojnë klikime. Ndër të tjera, francezët nuk kanë përmendur foton ku shihet se janë shtatë lojtarë nga stoli që futen në fushë kur Mbappe shënon golin e rezultatit 3-3”, tha ai.