Cristiano Ronaldo mund të transferohet te klubi arab, Al Nassr, në një marrëveshje nga e cila do të përfitonte afro 200 milionë euro, megjithëse ai akoma preferon një klub elitar evropian.
37-vjeçari shpreson të transferohet te ndonjë klub, ku mund të luajë në Ligën e Kampionëve.
Megjithatë, edhe pse është lojtar i lirë, superylli portugez nuk ka pasur ofertat e duhura, prej se Manchester Unitedi ia ndërpreu kontratën në muajin e kaluar.
Eksperti i transferimeve, Fabrizio Romano, ka thënë se Al Nassr tashmë ia kanë konfirmuar mega-ofertën për ta angazhuar Ronaldon deri në qershor 2025.
Ish-sulmuesi i Real Madridi dhe Juventusit pritet ta marrë vendimin për të ardhmen brenda disa ditësh. Chelsea, Sporting Lisbona, Atletico Madridi, Napoli, por edhe dy ish-klubet janë përmendur si destinacione potenciale.
Megjithatë, pas zhgënjimit të Portugalisë në Kampionatin Botëror e sidomos pas problemeve që i pati Cristiano, nuk ka pasur asnjë ofertë konkrete për shërbimet e tij.
Dhe derisa mediat raportonin vazhdimisht për të, superylli i futbollit qëndronte i heshtur në javën e fundit.
Gjatë ditës së sotme ka ardhur reagimi i tij i parë në rrjetet sociale, duke publikuar një fotografi nga pishina në InstaStory.