Drejtori i Zyrës për Kosovën dhe Metohi, Petar Petkoviç, përmes llogarisë së tij në Twitter, i është drejtuar EULEX-it dhe Miroslav Lajçak lidhur me shkeljen e të drejtave të ish policit të arrestuar Dejan Pantiç dhe i ka bërë thirrje Albin Kurtit që të reagojë.
“Dejan Pantiç për të katërtën ditë nuk ka ilaçe, prandaj është në rrezik jeta! Albin Kurti për të katërtën ditë nuk e lejon një pacient të rëndë të zemrës, i cili së fundmi i është nënshtruar operacionit, të marrë terapinë e nevojshme! Familja e tij nuk mund të kontaktojë me të. A ka të drejtë të jetojë Dejani? A ka Dejani të drejtën e mjekimit? Apo i mohohen të gjitha këto të drejta vetëm pse është serb? Lejo që ilaçi t’i dorëzohet Dejanit sa nuk është vonë! A E SHIKON ndokush NË EVROPË PËRVOJEN E KËSAJ EKSPERIENCE TË KURTIT APO SHIHEN VETËM BARIKADAT?”, ka shkruar Petkoviç.
Tensionet në veri të Kosovës vijojnë. Rrugët janë bllokuar kryesisht me automjete. Para vendosjes së barrikadave ishin kryer disa sulme ndaj policisë së Kosovës dhe pjesëtarëve të EULEX-it, të cilat i kanë dënuar ndërkombëtarët. Policia e rendit e ka shtuar prezencën në pjesën veriore të vendit.