Raportuesja për Kosovën në Parlamentin Europian Viola von Cramon ka reaguar për situatën e tensionuar në veri të vendit. Ajo thekson se kërkesa e Serbisë për kthim të ushtarëve dhe sulmet ndaj Eulex, janë të papranueshme.
Von Cramon ka theksuar se rivendosja e paqes në veri, duhet të jetë prioritet.
“Rivendosja e paqes dhe stabilitetit në veri të Kosovës duhet të jetë prioritet. Sulmet ndaj EULEX-it dhe deklaratat për ushtarët serb, janë krejtësisht të papranueshme. Unë pres që barrikadat e serbëve të Kosovës të largohen si ulje e përshkallëzimit. Mbështetje e plotë për dialogun e udhëhequr nga BE”, ka shkruar Von Cramon.
Disa serbë lokalë në veri të Kosovës, qysh më 10 dhjetor, ngritën barrikada në rrugët që çojnë në dy pikat kufitare me Serbinë, Jarinjë dhe Bërnjak.
Kjo ishte përgjigjja e tyre ndaj arrestimit të ish-policit serb, Dejan Pantiq, nga autoritetet e rendit në Kosovë. Pantiq dyshohet se organizoi “sulm terrorist” në zyrat e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në veri të Kosovës.