Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, bëri të ditur se pas seancës së 15 dhjetorit, Qeveria e Serbisë do t’i dërgojë kërkesë komandantit të misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR, për të dërguar deri në 1.000 forca të sigurisë në Kosovë.
Beogradi zyrtar qysh më 8 dhjetor paralajmëroi shqyrtimin e vendosjes së forcave të veta në Kosovë, në bazë të Rezolutës 1244 të Kombeve të Bashkuara.
Me këtë paralajmërim, ai iu përgjigj pranisë së shtuar të Policisë së Kosovës në pjesën veriore të vendit, e cila është e banuar me shumicë serbe.
Deri te kjo situatë erdhi një muaj pasi serbët në veri u larguan nga institucionet e Kosovës.
REL iu drejtua KFOR-it për koment, por nuk mori ende përgjigje.
Më 10 dhjetor – kur serbët lokalë nisën ngritjen e barrikadave në veri të Kosovës – Vuçiq deklaroi në Beograd se e di që kërkesa për dërgimin e trupave në Kosovë do të refuzohet nga KFOR-i.
Megjithatë, lideri serb pretendoi se sipas Rezolutës 1244, Serbia ka të drejtë të kthejë forcat e saj në Kosovë.
Por, ekspertët kushtetues dhe të sigurisë, i kanë thënë më herët Radios Evropa e Lirë se edhe në bazë të Rezolutës 1244 dhe dokumentet e tjera, nuk lejojnë që Serbia të dërgojë trupa në Kosovë.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar se me paralajmërimet për dërgimin e trupave, Serbia po “kërcënon me agresion” Kosovën.
Ndërkaq, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë se territorin e Kosovës nuk do të ketë më kurrë policë dhe ushtarë të Serbisë.
Tensionet mes Kosovës dhe Serbisë janë rritur ditëve të fundit, teksa serbët lokalë më 10 dhjetor ngritën barrikada në veri të Kosovës. Ata po kundërshtojnë arrestimin e ish-policit të Kosovës, Dejan Pantiq.
Ministria e Punëve të Brendshme të Kosovës e ka fajësuar Pantiqin si organizator të “sulmit terrorist” ndaj zyrtarëve zgjedhorë dhe policëve më 6 dhjetor në Mitrovicë të Veriut dhe Zubin Potok.
Për shkak të incidenteve të armatosura në veri, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka shtyrë zgjedhjet lokale për prillin e vitit të ardhshëm.
Zgjedhjet për kryetarë të Mitrovicës së Veriut, Zubin Potokut dhe Zveçanit, fillimisht ishin paraparë të mbaheshin më 18 dhjetor. Këto komuna që nga nëntori janë pa kryetarë, pasi ata, së bashku me zyrtarët e tjerë serbë, u larguan nga institucionet për shkak të vendimit të Qeverisë së Kosovës për riregjistrimin e makinave me targa serbe.
Shtetet e Bashkuara kanë bërë thirrje për largimin e barrikadave, ndërkaq Bashkimi Evropian ka kërkuar nga Kosova dhe Serbia t’i kthehen dialogut./REL