Tensionet në veri të Kosovës vijojnë, ku ditën e sotme u sulmuan dy gazetarë nga persona të maskuar. Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, John Rohde ka thënë se zgjedhjet e jashtëzakonshme në veri duhet të shtyhen.
Rohde ka shpërndarë postimin e Ambasadorit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Jeffrey Hovenier, ku ai thotë se s’janë kushtet që zgjedhjet të zhvillohen tani, teksa shkruan se pajtohet me mendimin e tij.
“Pajtohem me kolegun tim nga Shtetet e Bashkuara se zgjedhjet duhet të shtyhen. Është e dukshme se me situatën aktuale, nuk është e përshtatshme që ato të mbahen tani”, ka shkruar Rohde.
Mitrovica e Veriut është në tensione pas vendosjes së pjesëtarëve të policisë në këtë zonë. Mbrëmjen e djeshme rreth orës 23:00 në vendbanimin Serbovc në komunën e Zveçanit patrulla e policisë është sulmuar me armë zjarri.