Pas incidentit që ndodhi dje në veri të Kosovës, ku persona të maskuar dëmtuan zyrat e komisioneve komunale në Zubin Potok dhe Mitrovicë, duke përdorur mjete të rrezikshme si granata dore të prodhimit jugosllav, ka reaguar dhe shefi i Eulex, Lars Gunnar Wigemark.
Ai shprehet se është i shqetësuar për situatën, ndërkohë që do të vazhdojë monitorimin në koordinim të ngushtë me Policinë e Kosovës dhe KFOR.
“Të shqetësuar për incidentet e djeshme në veri të Kosovës. Çdo protestë duhet të jetë paqësore dhe të gjithë duhet të qëndrojnë të qetë dhe të përmbajtur”.
“EULEX do të vazhdojë të monitorojë situatën në koordinim të ngushtë me Policinë e Kosovës dhe NATO-KFOR-in”, ka shkruar Wiemark.
Disa grupe të qytetarëve serbë në Zubin Potok dhe Mitrovicë të Veriut penguan të martën hapjen e zyrave të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, duke shkaktuar edhe incidente, por pa pasoja në njerëz.
Në këto dy komuna, ashtu si edhe në Zveçan dhe Leposaviq – që të gjitha të banuara me shumicë serbe në pjesën veriore të Kosovës – pritet të mbahen zgjedhjet për kryetarë, më 18 dhjetor.
Policia e Kosovës tha se “persona, grupe dhe të dyshuar të maskuar dëmtuan zyrat e komisioneve komunale zgjedhore në veri të Kosovës”, duke përdorur “mjete të rrezikshme, përfshirë granata dore të prodhimit jugosllav”.
Incidentet ndodhën derisa policia po i shoqëronte zyrtarët e KQZ-së drejt hapjes së komisioneve komunale zgjedhore.
Ministri i Punëve të Brendshme i Kosovës, Xhelal Sveçla, tha se “grupe të organizuara, me disa individë të maskuar” i sulmuan zyrtarët zgjedhorë dhe policët “me shok bomba dhe të shtëna në ajër”.
Ai tha se aktet që kanë qëllim pengimin e procesit zgjedhor, janë të papranueshme.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se në veri do të ketë shtim të pranisë policore. Sipas tij, sulmet atje po kryhen nga “banda kriminale”, të cilat “paguhen dhe dirigjohen nga Serbia”.
Komunat në veri të Kosovës janë pa kryetarë qysh në fillim të nëntorit.
Ata dhanë dorëheqje, në shenjë kundërshtimi ndaj një vendimi të Qeverisë së Kosovës për të riregjistruar makinat me targa ilegale serbe në veri.
Bazuar në Ligjin për zgjedhjet, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, shpalli më pas 18 dhjetorin si datë për mbajtjen e zgjedhjeve atje.