Politikanët shqiptarë kanë uruar të gjithë besimtarët myslimanë për festën e Kurban Bajramit. I pari që përcolli urimin ishte presidenti i Republikës, Bujar Nishani.
PDIU uron besimtarët myslimanë, gëzuar festën e Kurban Bajramit.
Partia Drejtësi, Integrim dhe Unitet, uron të gjithë besimtarët myslimanë, gëzuar festën e Kurban Bajramit. Sot është dita solidaritetit me të varfërit, dita e paqes, e faljes, mëshirës dhe lutjes. Kjo është është dita e mirëkuptimit për të gjithë besimtarët. PDIU uron shqiptarët kudo që janë për më shumë begati në familjet e tyre.
Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta ka uruar besimtarët myslimanë me rastin e festës së Kurban Bajramit. Në mesazhin e tij, Meta ka shprehur urimet më të mira për vlerat e kësaj dite, që, siç tha ai, na nxisin për më shumë tolerancë, mirësi dhe solidaritet më të madh me qytetarët në nevojë.
“Me rastin e festës së Kurban Bajramit dua të shpreh urimet më të mira për mesazhet dhe vlerat e kësaj dite, që na nxisin për më shumë falje dhe tolerancë, për më shumë mirëkuptim, për të bërë mirësi dhe për të zhvilluar një solidaritet më të madh me njëri-tjetrin, sidomos me ata qytetarë që kanë nevojë për të. Më lejoni të shpreh krenarinë për këtë bashkëjetesë dhe për këtë harmoni të mrekullueshme që ne kemi falë këtyre marrëdhënieve mjaftë tolerante e bashkëpunuese mes komuniteteve të besimeve të ndryshme”, shtoi Meta.
Kryetari i PD, Lulzim Basha u është bashkuar urimeve për festën e Kurban Bajramit.
“Të dashur miq, vellëzer dhe motra, besimtarë myslimanë, gëzuar Kurban Bajramin! Sot besimtarët kremtojnë dashurinë e Zotit ndaj çdokujt që sprovohet përmes sakrificës”, është shprehur Basha.
“Zoti i ndihmoftë shqiptarët kudo ku ndodhen!”, e ka mbyllur kreu i opozitës urimin e tij.
Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj uroi besimtarët me një status në rrjetin social Facebook.
Veliaj: Gëzuar Bajramin miq – faleminderit besimtarëve myslymanë për mirësinë, bujarinë e bashkëpunimin për të mirën e qytetit tonë.
Presidenti i vendit, Bujar Nishani ka uruar të gjthë besimtarët myslimanë për Festën e Kurban Bajramit
“Të dashur e të nderuar besimtarë myslimanë shqiptarë kudo ku ndodheni! Me rastin e kësaj Feste të madhërishme të Sakrificës dhe Dhurimit, e cila na frymëzon për t’iu gjindur sa më shumë njëri-tjetrit, për të ndihmuar dhe ndarë pasurinë e mirësinë me më të pafatët, për t’i lumturuar fëmijët me dhurata e për t’u përkujdesur për më nevojtarët, duke sakrifikuar diçka apo gjithçka në frymën e besimit tek Zoti i Plotfuqishëm, dëshiroj t’ju përcjell urimet e mia më të përzemërta!
Sivjet këtë Kurban Bajram e festojmë menjëherë pas ngjarjes historike për kombin tonë, për shqiptarët anembanë botës: shenjtërimit të Nënë Terezës, shembulli i së cilës mishëron dhe frymëzon bamirësinë, kujdesin dhe respektin për më të vuajtuarit, më të pafatët, për të sëmurët e të pamundurit, në kuadër të harmonisë dhe bashkëjetesën paqësore mes njerëzve me besime dhe origjinë të ndryshme.
Në cilësinë e Kreut të Shtetit ju uroj nga zemra të gjithëve sa më shumë begati, paqe, mbarësi dhe vëllazëri me njëri-tjetrin! Gëzuar Festën e shenjtë të Kurban Bajramit! Gëzuar dhe për shumë vjet këtë Festë të mrekullueshme dhe kuptimplotë të sakrificës njerëzore!”