Dënohet me 26 muaj burg një shqiptar në Britaninë e Madhe. Ai akuzohet se punonte në një “shtëpi bari”. Policia e zbuloi “folenë e drogës” për shkak të grilave të dritareve. Sinjalizimi u bë nga një efektiv tjetër, i cili vuri re se grilat lëviznin në mënyrë konstante. Menjëherë oficerët dyshuan për një ventilim të mundshëm brenda shtëpisë dhe dyshuan se aty prodhohej kanabis.
Për këtë arsye ata shkuan për kontroll në pronën në fjalë që ndodhej në Ashton Avenue në Harehills.
Ata u detyruan që ta hapnin derën me forcë për shkak se ishte e përforcuar dhe kur arritën të futeshin brenda, gjetën plot 5 dhoma të mbushura me bimë kanabisi, vlera e së cilave shkonte në 92 mijë paundë. E teksa e rrethuan zonën, në shtëpi mbërriti shqiptari R. Tafa, i cili u vu në pranga.
Shenjat e tij të gishtave u gjetën në ventilatorët që përdoreshin për të rritur bimët. 20-vjeçari, i cili nuk kishte precedentë të mëparshëm penale, pranoi se kujdesej për kultivimin e drogës.
Avokati i tij mbrojtës tha se i riu ishte larguar nga Shqipëria rreth 1 vit më parë, kishte jetuar në Francë për një farë kohe e më pas kishte mbërritur në mënyrë të jashtëligjshme me anije në Britani. Gjykata e dënoi 20-vjeçarin më 26 muaj burg.