Në Botërorin e vitit 2014, Nejmar pa se si ëndrra e tij për të fituar Kupën e Botës u shua nga një dëmtim.
Këtë herë, sulmuesi brazilian shpreson që fati t’i ketë rezervuar diçka ndryshe, pasi dëmtimi i pësuar ndaj Serbisë, do ta lërë atë jashtë të paktën për pjesën e mbetur të ndeshjeve në fazën në grupe të turneut.
Një situatë e vështirë për lojtarin i cili kërkonte të ishte protagonisti absolut dhe nuk e ka fshehur dëshpërimin e tij me një postim në rrjetet sociale, ku e ka cilësuar një nga momentet më të vështira në karrierë, por duke premtuar që të bënte maksimumin që të kthehej në radhët e “seleçaos”.
Reagimi
“Krenaria dhe dashuria që ndjej për të veshur këtë fanellë nuk mund të shpjegohet. Nëse Zoti do të më jepte mundësinë të zgjidhja një vend për të lindur ai do të ishte Brazili.
Asgjë në jetën time nuk ka qenë e dhuruar apo e lehtë, gjithmonë më është dashur të vrapoj pas ëndrrave dhe objektivave të mi. Asnjëherë nuk i kam uruar të keqen dikujt dhe kam ndihmuar ata që kanë qenë në nevojë.
Sot është një nga momentet më të vështira të karrierës time… dhe përsëri në një Botëror. Kam një dëmtim dhe është bezdisëse, do të më krijojë dhimbje por jam i sigurt se do të kem mundësinë që të kthehem, pasi do të bëj të pamundurën që të ndihmoj vendin tim, shokët e mi të skuadrës dhe veten time.
Të pres kaq kohë në mënyrë që armiku të më rrëzojë kështu? ASNJËHERË!”, shkruan Nejmar në mesazhin e tij.