Kur myku në trup shtohet më shumë se përmasat e lejueshme, atëherë ai përbën rrezik për shëndetin dhe sjell komplikacione të ndryshme
Blerina Bombaj, dietologe
Kandida është emri i përdorur për të treguar rritjen e mykut në trup. Ky myk ekziston dhe bashkëjeton natyrshëm në trupin tonë. Kandida Albicans është një familje e mykut që jeton në mukozat e trupit në zorrë, sy, stomak, fshikzën e urinës, mushkëri, vaginë etj. Është një ndër miliarda mikroorganizma që jetojnë me ne në mënyrë krejtësisht miqësore. Roli i tyre është të luftojnë mikroorganizmat e dëmshëm. Por kandida nuk duhet të shtohet më shumë seç duhet për sa kohë trupi i njeriut është gjallë. Kur Kandida Albicans shtohet më shumë se përmasat e lejueshme, atëherë ajo përbën rrezik për shëndetin dhe sjell komplikacione të ndryshme.
Çfarë e bën mykun të rritet jashtë kontrollit?
Një sistem imunitar i shëndoshë e mban mykun nën kontroll dhe në ekuilibër me mikroorganizmat e tjerë. Por në disa situata, ai mund të mbizhvillohet. Shkaktarët kryesorë janë përdorimi i tepruar i antibiotikëve, përdorimi i ujit me klor dhe përdorimi i dezinfektantëve pa kriter.
Menu kundër mykut (rreth 2000kcal)
MËNGJES
- 1 kupë kos (pa yndyrë, pa sheqer)
- 1 lugë të madhe fara chia ose lini + 1lugë të vogël kurkume*
- ¼ avokado ose vaj lini
PARADITE
- 1 fete bukë thekre me pak vaj ulliri
- 1 vezë të zier ose 30gr djathë dhie të njomë
- 1 domate, 1 kastravec
DREKË
- Sallata jeshile të ndryshme 2 kupa (sallatë jeshile, rukola, finok, spinaq, lakër jeshile), qepë të freskët, fara luledielli ose susami, djathë dhie ose gjizë dhe salcën tuaj të preferuar*
- domate, brokoli, ullinj, speca të kuq, qepë të kuqe dhe salcë* (2 kupa gjithsej)
- lakër të bardhë, lakër të kuqe, karrota dhe salcë ( 2 kupa)
- spinaq i zier, fara lini, vaj ulliri dhe limon
Pjata kryesore
- 200gr mish të kuq pa dhjamë (viç, qengj, gic) të zier ose te pjekur në furrë + 1 patate të ëmbël të pjekur + ullinj dhe domate të tharë.
- 200gr salmon ose sardele ose ton ose levrek ose koce të pjekur + 1 kupë oriz integral (180gr) ose 1 kupë makarona integrale
- 200gr gjoks pule të zier ose të pjekur + 1 kupë bizele të gatuara me salcë domateje dhe erëza sipas dëshirës + 1 fetë buke të zezë
- 1 kupë fasule ose thjerrza ose qiqra të zjera (pa lëngun) + 40gr djathë + 1 fetë bukë të zezë
PASDITE
- 1 kos pa yndyrë (200ml) me pak kanellë dhe 10 lajthi
- 1 kupë speca të kuq të gjallë me gjizë të njomë
- 1 çaj trëndafil i egër
DARKA
- Sallatë me domate, kastraveca, 40gr djathë + 100gr gjoks pule ose peshk ton, pak sallatë jeshile, pak gjize dhe ullinj + 1 kupë kos + 1 thelpi hudhër
- Pazi të zjera, gjizë, ullinj, fara luledielli + omletë me domate dhe brokoli + 1 kupë fasule të zeza ose të kuqe + 1 kupë kos + 1 hudhër
- Spinaq të zier me pak oriz, 1 kupë fasule të kuqe ose qiqra, speca të kuq – domate – majdanoz -60gr peshk ton + 1 kupë kos + 1 hudhër
- Sallatë jeshile –pak qiqra –qepë – pak hudher – domate – 40gr gjizë – pak fara susami + 1 kupë pure bizelzesh me pak finok të zier dhe kopër + 1 kupë kos me 1 hudhër, vaj ulliri & kastravec
PARA GJUMIT
- 1 çaj rigoni me stevia
SHPJEGIME
- Përdorni vetëm vaj ulliri ekstra të virgjër në gatim
- Mishi të jetë sa më i freskët dhe “bio” dhe peshku të jetë i egër dhe jo i rezervatit, as i konservave
- Përdor kripë Himalaje ose kripë të detit të papërpunuar
- Sasitë e ushqimeve të llogariten pas gatimit të tyre
- Kosi të zgjidhet natyral
- Përgatit lëng kockash dhe perore në çdo gatim
- Vaji i ullirit të përdoret sa më cilësor dhe me masë (3 lugë të mëdha gjatë gjithë ditës)
- Të përdoren sipas dëshires erzat si majdanozi, borziloku, kopra, etj.
- Përdorni çdo ditë në gatime hudhrën dhe qepën
Udhëzime të tjera
- Para vaktit konsumoni 1 gotë ujë me 1 lugë uthull molle
- Merr një kokërr Spirulina organike në ditë
- Gjatë vaktit të drekës do duhet të merret një lugë gjelle probiotikë të lëngshëm
*Salcë për sallatat
- 3 lugë të mëdha vaj ulliri
- 1 lugë të madhe lëng limoni të shtrydhur
- kripë, piper
- Kësaj përzjerjeje mund ti shtoni një nga variantet e mëposhtme:
- pak xhinxher të grirë (1/2 lugë të vogël)
- 1 lugë të vogël majdanoz
- 1 hudhër të shtypur