Reshjet e dendura të shiut gjatë orëve të fundit dhe fryrja e lumit Kir kanë rikthyer përdorimin e varkave në Shkodër duke e shndërruar qytetin në një “mini Venecia”.
Në lagjen “Ajasëm” të qytetit, banorët po lëvizin përmes mjeteve lundruese, për shkak se niveli i ujit ka shkuar deri në 50 centimetër vetëm në disa orë reshje intensive.
Qarku i Shkodrës ka probleme në disa zona si pasojë e motit të keq. Këtë mesditë, lumi Drin doli nga shtrati. Niveli i ujit te Harku i Berdices arrin disa centimetër, duke e bërë të pamundur lëvizjen e automjeteve të vogla.
Në fushën e NënShkodrës ka zona të përmbytura. Bashkia e Fushë-Arrëzit ka dëmtime në disa rrugë rurale dhe shkëputje të furnizimit me energji elektrike.
Shembje skarpatesh në disa njësi administrative në bashkinë e Pukës. Në Vaun e Dejës situata është më problematike. Ka dalë nga shtrati përroi Glin dhe lumi Gjadër, të cilët kanë dëmtuar infrastrukturën rrugore në lagje dhe në qytet. Ka pasur ndërprerje të pjesshme të energjisë elektrike në të gjithë qytetin.
Reshjet e shiut vijojnë dhe në bashkinë e Malësisë së Madhe, ku përroi i thatë në fshatin Kamicë ka dalë nga shtrati. Po ashtu, janë evakuuar dy familje në Malësinë e Madhe, pasi u janë përmbytur shtëpitë.