Shkodra është qarku më i dëmtuar nga reshjet e dendura të shiut gjatë kësaj të diele. Shiu dhe era e fortë kanë dëmtuar infrastrukturën e rrugëve në fshatra dhe qytet, ndërkohë që këtë mesditë situata u rëndua më tej, pasi lumi Drin doli nga shtrati.
Aktualisht është bllokuar hyrja për në qytet, pasi uji ka vërshuar në rrugë. Niveli i ujit te Harku i Berdicës arrin disa centimetër, duke e bërë të pamundur lëvizjen e automjeteve të vogla.
Mësohet se nga intensiteti i reshjeve, në Elbasan dhe në Shkodër uji ka vërshuar brenda shtëpive. Bëhet me dije se në lagjen Ajasem të bashkisë Shkodër 10 shtëpi janë nën pushtetin e ujit. Prej 72 orësh territori i qarkut të Shkodrës ka qenë i përfshirë nga reshjet.
Nga Shtabi i Emergjencave flitet për një sipërfaqe të përmbytur prej 400 ha në fshatin Muriqan. Prezenca e ujit në Gur të Zi, Dajç e Velipojë është problematike.