Një pjesë e Shqipërisë sot po vuan nga përmbytjet pas reshjeve të dendura gjatë natës e në vazhdim, por ka dhe një zonë në të cilën toka po digjet. Një vatër zjarri ka shpërthyer në zonën e Radhimës në Vlorë, në një zonë me bimësi shkurre dhe pemëtari.
Zjarri i ndihmuar dhe nga era e cila fryn me shpejtësi deri në 25 m/s është përhapur me shpejtësi duke rrezikuar një hotel që ndodhet në atë zonë. Forcat zjarrfikëse ndodhen në terren për izolimin e flakëve dhe shuarjen e tyre.
Vështirësitë e krijuara nga reshjet e shumta të shiut në vend kanë sjellë mbledhjen e Komitetit të Mbrojtjes Civile për të diskutuar lidhur me situatën aktuale në qarqet e Shkodrës dhe Lezhës ku rreziku i përmbytjeve është më i lartë.
Por diskutime janë bërë edhe për situatën e krijuar në bashkitë, Tiranë, Durrës, Vlorë dhe Fier. Ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi deklaroi se së bashku me kryebashkiakët dhe prefektët është rënë dakord për planin e masave parandaluese.