Është nxehur fushata në Diber vetëm 3 ditë para se atje të votohet për kryetarin e ri të bashkisë.
PS denoncoi dhunimin e administratorit të njësisë Tomin nga militantet e PD-së. Nga ana e saj PD as e pohon dhe as e mohon rastin e dhunës, por denoncon atë që e quan shpërndarje të parave për të blerë votën, ku sipas opozitës ishte i përfshirë edhe Nuri Meda, i cili sipas PD është shkarkuar për korrupsion.
Shtabi elektoral i kandidatit të koalicionit të majtë në Dibër denoncoi në mbrëmjen e së enjtes rrahjen dhe dhunimin në fshatin Pilafe të administratorit të njësisë Tomin, 56 vjeçarit Nuri Meda në momentin qe ai ishte duke kryer detyrën.
Meda ndodhet aktualisht në Spitalin e Dibrës në gjendje të rëndë.
Në deklarate thuhet se, dhunimi u krye në kohën kur disa eksponentë të PD me në krye Dritan Selishtën dhe grupin e koordinuar nga Agron Kuliçi ishin në veprim duke shpërndarë para për të blerë vota dhe te të kapur në flagrancë goditen barbarisht administratorin e komunës Tomin.
Ndërkohë, në deklaratën e PD-së thuhet se, administratori i njësisë Tomin, Nuri Meda së bashku me shtetasin Shefki Ademi nën mbikqyrjen e policisë po shperndanin para.
Ata thotë PD, janë kallëzuar penalisht prej saj në prokurori me date 1 shtator si anëtarë të grupit të strukturuar kriminal për blerje votash në fushatën e Dibrës.
PD i bëri thirrje Prokurorisë të nisë menjëherë procedimin penal.