Kryeministri Edi Rama i konsideroi tallje qëndrimet e opozitës me maturantët, duke theksuar se pas datës 20 të gjithë ata maturantët do të jenë në shkollë.
Kryeministri sqaroi se maturantët më të mirë do të kenë të drejtën të zgjedhin degën që duan, ndërsa të tjerët do të marrin atë çfarë mbetet.
Duke replikuar me ish-kryetaren e Kuvendit, Jozefina Topalli, e cila tha se kishte studentë me mesatare mbi 9 dhe nuk kishin fituar, kryeministri u shpreh se procesi nuk ka përfunduar dhe se kjo është vetëm lista e parë e fituesve.
Debatet:
Rama: Ty dhe partisë tënde nuk ju duhet të lehtësoni njerëzit, por njerëzit i doni viktima. Ju bëni politikë duke gjetur viktima. Ju fërkoni duart duke gjetur viktima. Askush, asnjëherë nuk është ndaluar jo më të ndëshkohet kush nuk paguan energjinë. Janë ndaluar ata që e kanë vjedhur.
Nuk e mohoj unë që e para gjë një njeri që merret me politikë është të ndjej dhimbjen dhe e para gjë që merret një njeri me politikë në opozitë është t’i japi zë dhimbjes. Nëse mbetesh vetëm aty, t’i japësh zë dhimbjes duke rrotulluar thikën me gënjeshtra, shpifje dhe abuzime, kjo është t’i japësh zë gulçimit të brendshëm. Kjo është t’i japësh zë instinkteve më të ulëta të njeriut vetëm e vetëm për të mundur kundërshtarin e vet. Edhe tek rasti i maturantëve.
Unë e mirëkuptoj çdo maturant, çdo prind për shkakun tani që rrotulloni thikën në plagë dhe u thoni atyre se ngelën pa të drejtë studimi. As edhe një nuk ngelet pa të drejtë studimi nga ata që kanë aplikuar dhe që plotësojnë kushtet është thënë vazhdimisht që nuk do mbetet asnjë vend bosh. Janë kuotat e përcaktuara dhe janë edhe aplikuesit. Kur unë fola për 27 200 aplikues, fola për të gjithë. Unë nuk i ndaj universitetet pavarësisht nëse financohen nga shteti apo privati. Ajo që është e sigurt është që universiteti publik ofron ekzaktësisht 25 mijë vende dhe ministrja të dha shifrën 22 mijë për aplikuesit në universitetet publike.
Mjekësia- T’i duhet t’i referohesh fakteve. Në degën e Mjekësisë së Përgjithshme janë 226 kuota. Aq kuota janë dhe të gjithë fituesit, pra ata që janë regjistruar fitues e kanë mesataren 9.96 e lart. Çfarë t’i themi atij që e ka mesataren 95? Ne i themi atij që do presësh sepse janë këta më të mirë se ty dhe e kanë të drejtën të zgjedhin. Këta nuk do të shkojnë në 10 degë se këta që janë me 10 kanë fituar në 10 degë. Automatikisht nga 226 kuota, do të lirohen një numër i mjaftueshëm vendesh për të futur edhe me mesatare 9.94.
Çfarë t’i bëjmë atij me mesatare 9.98 kur për farmaci janë 86 kuota dhe të gjithë ata që kanë hyrë në mesataren 10 pse 9.99, të gjithë kanë fituar. Ky është sistemi Jozefinë. Deri në datën 12, të gjithë absolutisht të gjithë mund të bëjnë ankimin nëse mund të ketë ndodhur një gabim ose mendon se është vepruar gabim. Ministria e Arsimit do t’i japë përgjigje një për një. Ndjesën do t’ia kërkojë Lindita Nikolla qoftë edhe një personi të vetëm nëse është gabuar. Në mjekësinë dentare janë 45 kuota dhe të gjithë e kanë mesataren 10. Çfarë t’i themi? Sikur të kishit Gaten mund ta bënte çorap këtë sistem me telefon nga Lazarati.
Mbas 10 ditësh dhe të paktën ata drejtorët e korruptuar mos i vini organizator të protestave të maturantëve. Sepse ti ke fotografi të Jeta është qef, por ne kemi fotografi të jetës që nuk është qef.
Sistemi dhe Task Forcë – Ky sistem është sistem i meritës dhe nuk e garanton dot njeriu, por sistemi. Të gjitha mesataret që nxirrni ju u nxjerrin bllof. Deri tani në zyrën time unë kam ngritur një Task Force që merret me të gjitha rastet që ankohen në publik. Puna është zërit të dhimbjes t’i japësh përgjigje.
Kur u bënë zgjedhjet për universitetin, thatë se disa rektorë i përkasin krahut që voton për ju dhe këtë e quanit fitore të demokracisë. Një nga ata që më kujton Luciono Pavarotin, fitorja e idealeve të dhjetorit të vitit 1990. Ai kushedi ku spiunonte ata të lëvizjes atëherë. Si mund të zgjidhet një rektor nga ata që votojnë haptas për ju?
Ky sistem është transparent dhe nga një anë i çliron tërësisht rektorët nga barra e telefonave nga thirrjet dhe kërcënimet. Në shkollë dhe në cilin vend të listës, të gjithë i fut vetëm merita e tyre. Në fakt është vetëm merita dhe asgjë tjetër. Secili ka në dorë fatin e vet. Kur të jenë në këtë ditë. Më mirë ta lëmë me kaq Jozefinë që sot gënjeve nga injoranca, nga padija dhe unë po ta fal sot. Mbas 10 ditësh ata do të jenë në shkollë dhe ju do të jeni ngelësit në klasë.
Replikon Jozefina Topalli
Topalli: Ishe më dobët se shefat e arsimit të Komitetit Ekzekutiv të dikurshëm. Por edhe aktori më i dobët nga rolet që ke luajtur gjatë këtyre tre viteve në Parlament. Duke treguar foton e asaj vajze dhe duke ditur shpirtin tuaj hakmarrës, unë kam frikë se ti atë vajzë do ta copëtosh. Kjo është e vetmja frikë që kam. Kam vetëm një pyetje: si ka mundësi që këta studentët e mirë nuk hyjnë në universitetet shqiptare dhe në Gjermani fitojnë? Si ka mundësi që nuk hyjnë në Matematikë, Inxhinieri, por fitojnë në Londër, Itali, Amerikë. Ti do të mbahesh mend si kryeministër që u ke mohuar të drejtën për universitet dhe këtë nuk do ta harrojnë kurrë.
Edi Rama: Në vend që të merrje kohe dhe të verifikoje rastin. U ngrite e the se kam frikë për atë vajzën se ti do ta copëtosh. Kanti thotë: Kur e akuzon dikë për diçka që nuk është fakt, kujdes se je në gjendje ta bësh vet.
Unë nuk kam njohur shefa komitetesh në atë kohë. Mbase ty të ka çuar jeta për hallet që ke pasur dhe mbase ke njohur edhe Shefa Komitetesh Jozefinë. Nuk e prisja që të ishe kaq e dobët në përgjigje. Ndërkohë që procesi nuk ka mbarur dhe ta shpjegova me shumë dëshirë që raundi i parë ka mbaruar sepse kjo është reforma jonë për të ndërtuar një sistem arsimor të meritës që do të thotë që më të mirët kanë të drejtë të zgjedhin të parët.
/Ora News/