Ish-kryeministri Sali Berisha e ka quajtur projektin e Portit të Durrësit, si mega aferën më të madhe sot në Evropë për të cilën akuzoi në mënyrë direkte kryeministrin Edi Rama.
Gjatë fjalës në Kuvend, Berisha theksoi se “flamuri dhe atdheu i Ramës është ai i Vuçiç”, duke theksuar se ai po shkatërron portin mijëravjeçar për të mbushur xhepat e tij.
Lexo edhe: “Populli i gomoneve”, Berisha për rritjen e çmimeve: Shqiptarët po varfërohen
“U përmend 2013, ajo që mund tu them shqiptarëve është se këta pasi kanë marrë për 9 vite me radhë mbi 500 miliardë lekë çdo vit borxh dhe kanë rritur borxhin në 107%, përveç vilave, bauleve dhe kontove të fshehta të tyre këta vjedhës nuk janë në gjendje tu nxjerrin asgjë substanciale në 9 vite përveç pasurimit të tyre.
Së dyti, dua të qartësoj shqiptarët që ka ikur njeriu që ka për flamur, flamurin e Vuçiç, që ka atdhe atë të Vuçiç, se afera e Durrësit është Rama-Vuçiç. Dubai i Ramës në Durrës është mega afera më e madhe sot në Evropë, e një njeriu që i shkatërron vendit të tij për të mbushur xhepat dhe për interesa strategjike të Vuçiç portin mijëravjeçar të Durrësit. Kjo është e vërteta. Flamuri i tij është ai i Serbisë, flamuri i vjedhjes, atdheu i tij është ai i Vuçiç”, tha Berisha.