Sindikata e Punonjësve të Universiteteve të Shqipërisë ka vendosur të pezullojë bojkotin dhe të nisë vitin akademik. Në një njoftim, kjo sindikatë shprehet se janë të interesuar për normalizim të jetës akademike. Por, sindikata thotë se protestat nuk do të ndalen.
Njoftimi:
Sindikata e Punonjësve të Universiteteve të Shqipërisë, e interesuar për normalizimin dhe zhvillimin e suksesshëm të jetës akademike vendosi:
1. Pezullimin e bojkotit dhe rinisjen e procesit mësimor, për të përmbushur detyrimin tonë akademik, atë të përçimit të dijes tek studentët;
2. Vazhdimin e protestës me të gjitha format demokratike dhe institucionale, përfshirë protestat kombëtare universitare periodike, deri në vlerësimin dhe zgjidhjen e kërkesave të parashtruara;
3. Të gjitha llojet e protestave, përfshirë grevat e çdo lloji, vazhdojnë të qëndrojnë si mundësi finale për realizimin e të gjitha kërkesave të Peticionit dhe më gjerë!
4. Të zhvillojë Protestën Kombëtare Universitare të radhës, ditën e Martë, datë 8 Nëntor 2022, ora 11.00, përpara Korpusit Qëndror të UPT.
Gadishmëria e Organeve Drejtuese të Universiteteve për të kontribuar pjesërisht në përmbushjen e kërkesave të paraqitura: – ‘me rritje modeste të fondit të pagave’, dhe kjo, vetëm për stafin akademik, duke mos mbajtur një qëndrim të qartë në lidhje me rritjen e pagave për stafin ndihmës-akademik dhe administrativ, na prezanton një tjetër problematikë në Institucionet e Arsimit të
Lartë: – Nevojën për transparencë mbi veprimtarinë tërësore financiare të tyre.
Besojmë në mbështetjen e çdo anëtari të stafit akademik, për të realizuar procesin e vlerësimit të pastërtisë dhe integritetit profesional të titullarëve të universiteteve dhe të personelit universitar në tërësi, si mundësia e vetme për të demonstruar akademizëm dhe seriozitet prej gjithkujt, që merret me ofrimin e shërbimit më fisnik të një kombi, sikundër është edukimi.
Kapitali më i çmuar i një vendi është kapitali njerëzor.