Ish kryeministri Sali Berisha deklaroi se Partia Demokratike do të propozojë një ligj të Posaçëm Anti-Korrupsion, të cilin ftoi deputetët e PD që ta firmosin. Në fjalën e tij para deputetëve të grupit parlamentar, Berisha tha se ky ligj do të jetë kontribut i veçantë i opozitës ndërsa sqaroi dy nenet që përmban.
Berisha u shpreh se e drejta e parashkrimit është e drejtë universale, por shtoi se kjo e drejtë merr konotacion imunitar kur vjen puna te njerëzit që janë në pushtet të cilët ai i cilësoi si të papërgjegjshëm që çojnë pasuritë në offshore dhe pasi largohen nga detyra “ia mbathin dhe i shpëtojnë ligjit.”
Berisha i referohet Kodit Penal aktual që për të gjithë zyrtarët ose personat e përfshirë në një çështje hetimore, që për shkak të kohës nuk hetohen, atëherë çështja quhet e parashkruar dhe dosja mbyllet. Shfuqizimi i parashkrimit bën që nëse vepra penale e bërë në kohën e shkruar dhe dënimi për atë vepër penale është më pak se diferenca mes viteve, sërish hetimi do të zhvillohet.
“Sot këtu kam sjellë projektligjin të cilin ose për të cilin jam prononcuar publikisht në parlament në debate të ndryshme dhe që ka të bëjë me heqjen e parashkrimit për Kryeministrin, zëvendës kryeministrat, ministrat, kryetarët e kuvendit dhe ish funksionarëve te sipërpërmendur. Ky ligj ka dy nene. Neni i parë thotë: Nuk i nënshtrohen parashikimit veprat penale te korrupsionit për kryeministrin, zëvendës kryeministrat, ministrat, kryetarët e kuvendit dhe ish funksionarëve të sipërpërmendur. Neni 2: Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në fletoren zyrtare. Ky ligj, mendoj unë, në kushtet e Shqipërisë kur vetë KLSH ka vërtetuar abuzimin nga kjo qeveri me të paktën me 8.2 miliardë euro, vjedhje e shpërdorime. Kur korrupsioni, vjedhja e këtyre zyrtarëve është bërë faktori, muri mi i tmerrshëm për zhvillimin e këtij vendi dhe integrimin e tij. Kur është bërë gjeneratori i varfërisë së shqiptarëve, te gjithë problemeve të shtetit ligjor që e kane degraduar atë nën diktaturën komuniste të Vietnamit. Qeverisja është edhe më e korruptuar se diktatura komuniste e Vietnamit. E drejta e parashkrimit është një e drejtë universale. Mirëpo kjo e drejtë merr një konotacion imunitar nga njerëz të papërgjegjshëm të cilët pasuritë i çojnë në ofshore dhe vetë pasi largohen nga detyra ja mbathin dhe i shpëtojnë ligjit. Mungesa e këtij neni për njerëz të papërgjegjshëm si puna e Rramës, Agaçit, Ahmetajt, Erion Velisë, ja mbathin dhe kthehen pasi kalon afati”, tha Berisha.