Prokuroria ka marrë dëshminë e 6 mjekëve dhe infermierëve lidhur me vdekjen e bujshme të 32- vjeçarit Lear Kurti, pasi u shoqërua në polici. Ata kanë qëndruar 3 orë në prokurori dhe sipas kartelës rezulton se 32-vjeçari mbërriti pa shenja jete në spital. Mjekët kanë dhënë ndihmë mjekësore por ka qenë e pamundur që të kthehet në jetë.
Ditën e sotme ka nisur ekzaminimi i kamerave të spitalit pas dëshmive të mjekëve e kartelës mjekësore. Deri tani, mjekët rezultojnë pa shkelje ligjore. Nuk ka ende një version përfundimtar të vdekjes së të riut, si pasojë e deklaratave kontradiktore që kanë pasur në fillim mes policisë, AMP-së si edhe spitalit të Traumës. Opozita dhe familjarët hedhin akuza se i riu është dhunuar në komisariat, e ndërsa ditën e sotme, Prokuroria e Tiranës ka njoftuar se ka nisur hetimet deri në zbardhjen e plotë të ngjarjes së rëndë duke konfirmuar se në stomakun e Lear Kurtit është gjetur qese me gjurmë kokaine.
Sipas ekspertizës, Lear Kurti, ndërroi jetë mbrëmjen e 19 tetorit nga arresti kardiak që iu shkaktua si pasojë e overdozës, pasi gëlltiti qesen me kokainë, veprim që mendohet ta ketë bërë nga frika se mos e kapte policia me drogë. Deri në sqarimin e plotë të vdekjes së 32-vjeçarit në duart e policisë, kryepolici Muhamet Rrumbullaku, i pezulloi nga detyra efektivët që e shoqëruan të riun në komisariat.