Partia e Lirisë ka nisur sot Konventën e saj të parë Kombëtare. Kryetari Ilir Meta në fjalën e tij u shpreh se ka ardhur koha për një marrëveshje të re sociale dhe se koha nuk pret për dhënien fund të këtij regjimi. Meta e quajti qeverinë si pakicë, e cila sipas tij nuk ka shanse të mbijetojë ndaj referendumit si e drejtë e sovranit.
“Koha nuk pret më, është tani që PL dhe opozita ti japin fund këtij regjimi. Angazhohet solemnisht ti japë fund regjimit për të vendosur sundimin e ligjit, shteti të së drejtës, kushtuetshmëria. Koha është tani për të ndalur shpopullimin, Shqipëria do u përkasë të rinjve. Shqipëria do t’i përkasë të rinjve…sepse një shoqëri dhe një popull pa rini është si një trup pa shpirt… Është kjo bindje e palëkundur, që duhet të mbajë gjallë frymën dhe kauzën madhore të Partisë së Lirisë dhe Opozitës së Bashkuar… Prandaj në këtë Konventë Zgjedhore të Partisë së Lirisë ne do të shpalosim Programin tonë politik, strategjinë, zgjidhjet tona, aksionin, ekipin e ri drejtues dhe mobilizimin jo vetëm opozitar por mbarë-kombëtar. Ne jemi të vetëdijshëm, që në udhëkryqin e rrezikshëm ku ndodhet Shqipëria, lufta e vërtetë dhe e pa-kompromistë e qytetarëve është të zgjedhin mes diktaturës dhe lirisë, mes dëshpërimit dhe shpresës, mes varfërisë së tejskajshme dhe zhvillimit, mes skllavërimit modern për bukën e gojës dhe punësimit dinjitoz… Kur të gjithë bëhemi bashkë nuk ka diktaturë dhe qeveri pakice që i mbijeton zemërimit dhe verdiktit popullor… Prandaj, për Partinë e Lirisë, referendumi është manifestimi më sublim i demokracisë direkte dhe vullnetit të sovranit! Kur pushteti autokratik vjedh votën e lirë, përdhos demokracinë dhe Kushtetutën e vendit, atëherë referendumi mbetet arma e vetme në dorën e sovranit!”, tha Meta.