Policia ka dhënë detaje në lidhje me arrestimin e autorit të vrasjes së Safet Hyskollarit dy muaj më parë në fshatin Gështenjas të Pogradecit. Ngjarja e rëndë ndodhi në fillim të shtatorit dhe autori, Fatmir Manellari u zhduk menjëherë duke qëndruar në pyll.
Gjatë gjithë kësaj kohe ai mbante kontakte me familjen dhe herë pas here vinte flinte aty natën dhe më pas largohej në mëngjes, por dikush nga njerëzit që kishin dijeni njoftuan policinë për këtë duke bërë që blutë të ndërhyjnë. Menjëherë pas marrjes së informacionit, policia ndërhyri duke bërë të mundur arrestimin e autorit të vrasjes për motive të dobëta dy muaj më parë.
Fatmir Manellari vrau fqinjin e tij, Safet Hyskollari për një mosmarrëveshjeje që kishin për një tokë, e cila nuk i përkiste ligjërisht as autorit, e as viktimës. Viktima kishte vendosur disa tuba në një kanale kullues në tokën, e cila u kthye në mollë sherri.
63-vjeçari Fatmir Manellari, autori i vrasjes edhe pse nuk banonte pranë kësaj rruge u konfliktua me 65-vjeçarin, pasi nuk ishte dakord që ai të vendoste tuba, pasi kishte frikë se për shkak të tubave shtëpia e tij mund të përmbytej gjatë dimrit.
Safet Hyskollari kishte 20 vite që jetonte e punonte së bashku me bashkëshorten në SHBA, ndërsa kishte kishte vetëm një vit që kishte dalë në pension dhe së bashku me gruan ishin rikthyer në fshatin e lindjes për të kaluar vitet e pleqërisë.