Vijon protesta e organizuar sot nga pedagogët për rritjen e pagave dhe plotësimin e kërkesave të tjera. Kryetari i Sindikatës së Punonjësve të Universiteteve shqiptare, Sandër Kovaçi ka lexuar letrën e këtij institucioni drejtuar ndaj krerëve të shtetit shqiptar dhe ambasadave të huaja.
Kovaçi i bën thirrje Ramës që të mos intimidojë drejtuesit e sindikatës dhe të trajtojë me seriozitet kërkesat e bëra pres pedagogëve.
“Të nderuar prej më shumë se dy javësh trupa akademike e institucioneve të arsimit të lartë në Shqipëri kanë nisur një protestë në kërkesën e tyre sa i takon rritjes së pagave. Gjykojmë se mungesa e vëmendjes dhe mbështetjes financiare nga të gjitha qeveritë kanë ndikuar në largimin e studentëve dhe stafit akademik nga vendi ynë. Kjo është tashmë një çështje e interesit kombëtar. Trupa akademike i është drejtuar qeverisë me disa kërkesa që kanë për qëllim ndryshimin e kësaj panorame kaq të trishtueshme. Qeveria është përpjekur t’i konsiderojë ato si kërkesa me nxitje politike. Kryeministrit të Shqipërisë i kërkojmë të ndalojë intimidimet ndaj drejtuesve të sindikatës dhe të trajtojë me seriozitet të lartë kërkesat e bëra prej pedagogëve”, tha Kovaçi.