Dy vëllezërit e arrestuar për vrasjen e Indrit Ndoj në Fushë-krujë do të njihen me masën e sigurisë në orën 13:15. Sajmir dhe Landi Miri kanë mbërritur në gjykatë, ndërsa Prokuror i çështjes është Florjan Bonjaku, ndërsa gjyqtare Kostandina Kura.
Më herët vëllezërit e arrestuar për vrasjen e 34- vjeçarit kanë shprehur pendim. Ndërsa kanë dëshmuar para hetuesve se nuk kishin për qëllim të vrisnin 34-vjeçarin, por situata u ka dalë nga duart, pasi sipas tyre Indrit Ndoj i ka sulmuar fizikisht. Ata pretendojnë se në momentin që janë larguar, Ndoj ka qenë gjallë.
“Nuk kishim për qëllim ta vrisnim. Po situata na doli nga kontrolli pasi na sulmoi dhe na ofendoi rëndë. Ai ishte në gjendje të rëndë, pasi kishte konsumuar lëndë narkotike. U takuam te vendi për të sqaruar një muhabet të vjetër. Nuk është se kishim ndonjë konflikt të hapur me të, gjithçka ndodhi aty për aty pasi na sulmoi. Nuk ishte i vetëdijshëm. Ai tentoi të na qëllonte dhe për tu mbrojtur e qëllova. Më pas u larguam. E lamë të gjallë. Dhe s’menduam se kishim bërë ndonjë plagosje të rëndë. Por për fat të keq kaçavida kishte prekur damarin kryesor (arterien femorale). Vetëm kur dëgjuam në mëngjes që kishte vdekur. Aty na kapi paniku. Nuk dinim ca të bënim. Jemi penduar shumë, pasi nuk ishte nevoja që situata të arrinte në këtë pikë pa kthim pas. Jemi shumë të penduar”, mësohet të kenë deklaruar vëllezërit Miri.
Kujtojmë se familjarët e 34-vjeçarit kanë treguar se kishin komunikuar me Indritin një ditë përpara krimit, por nuk kishin vërejtur asnjë shqetësim tek ai.
Ata thonë se Indriti udhëtonte me biçikletë, por mjeti nuk u gjet pranë trupit të pajete. 34-vjeçari ka qenë i arrestuar në shtator të 2021 për trafik klandestinësh.